Është inicuar inspektim i jashtëzakonshëm pas vdekjes së foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë Shkup

Me qëllim përcaktimin e rrethanave dhe ndriçimin e rastit të vdekjes së një të porsalinduri në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu ka iniciuar një inspektim të jashtëzakonshëm nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, i cili do të pasohet nga mbikëqyrje nga ekspertë, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me rastin e foshnjës së porsalindur të ndjerë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, shpreh fillimisht ngushëllimet më të sinqerta për prindërit. Me qëllim të përcaktimit të rrethanave dhe sqarimit të plotë të rastit, ministri Azir Aliu ka iniciuar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, pas së cilës do të vijojë edhe një mbikëqyrje profesionale.

Theksojmë se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me inspektoratin, do të veprojë në mënyrë profesionale, të specializuar dhe transparente, me qëllim informimin e saktë dhe objektiv të opinionit publik mbi rrethanat e këtij rasti, si dhe mbi aktivitetet e ndërmarra nga aspekti profesional”, thuhet në njoftim.

Nga Ministria kërkojnë të priten hulumtimet e mbikëqyrjeve dhe rezultati i obduksionit, i cili është i vetmi dhe përfundimtari për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes, në mënyrë që deri në marrjen e rezultateve përfundimtare të mos krijohet shqetësim te familja dhe në opinionin publik.

“Rikujtojmë se Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës është një institucion terciar i nivelit të lartë, me protokolle ligjërisht të përcaktuara për veprim në raste të tilla. Ministria e Shëndetësisë mbetet transparente dhe e hapur për komunikim, menjëherë pas marrjes së të gjitha rezultateve, opinioni publik do të informohet në kohë”, thuhet në njoftim.

Slloboden Peçat dje raportoi se një foshnjë, e cila kishte shans për jetë, vdiq në kujdes intensiv në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup më 1 tetor të këtij viti, dhe vdekja e tij iu paraqit familjes si diçka që nuk mund të ishte parandaluar. Megjithatë, dokumentet e siguruara nga Sloboden Peçat tregojnë se brenda spitalit, vetë shefja e njësisë së kujdesit intensiv, dr Elizabeta Petkovska, i raportoi pediatres së njësisë, dr.Emilija Badeva, se “trajtimi i saj i papërshtatshëm shkaktoi komplikime nga të cilat foshnja vdiq”.

Drejtoresha e spitalit, dr. Irena Aleksiovska Papestiev, pasi mori këtë raport, e largoi pediatren nga detyra në njësinë e kujdesit intensiv dhe e transferoi në një njësi ku nuk ka reintubime (me kërkesë të pediatres). Megjithatë, për dy muaj, drejtoresha nuk e ka njoftuar as Ministrinë e Shëndetësisë, as Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, as Prokurorinë Publike për këtë rast në të cilin shefja e njësisë së kujdesit intensiv denoncoi një mjek nga njësia për trajtim të papërshtatshëm të një foshnje me pasoja fatale.