Nëse nuk ndryshohet mentaliteti dhe vullneti politik në RMV, asgjë nuk do të ndryshojë Strategjia për Reforma në Administratë

Strategjitë janë dokumente të shkëlqyeshme dhe brilante, por vetëm nëse zbatohen në praktikë. Për t’u zbatuar Strategjia duhet pasur vullnet politik, por edhe duhet ndryshuar mentaliteti për meritokracinë dhe vlerat demokratike.
Kjo mes tjerash u tha në ngjarjen e organizuar Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në bashkëpunim me SIGMA-n “Administratë bashkëkohore, efikase dhe e digjitalizuar: Vizioni 2030. Ofrimi i shërbimeve publike më kualitative për qytetarët dhe për sektorin privat“, ku u prezantua Strategjia e re për Reformat e Administratës Publike (2023-2030), procesi i hartimit dhe mekanizmat e implementimit dhe monitorimit, si dhe qëllimet deh prioritetet kyçe deri në vitin 2030-të sipas sferave prioritare, njofton Portalb.mk.

Ngjarja u hap me fjalim të ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, i cili ishte gjithashtu dhe moderator i panel-diskutimit të parë, ndërkaq fjalime hyrëse kishin edhe ambasadori i BE-së David Geer, shefi i programit të  SIGMA/OECD-së Gregor Wirant dhe Maja Hanxhiska Trendafillova, drejtoreshë e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).

Sipas ministrit Aliu, qëllimet prioritare janë, administratë publike e depolitizuar dhe profesioniste dhe si rrjedhojë, krijim i sistemit koherent të pagave dhe institucione të riorganizuara e të optimizuara me integritet të përforcuar, do të kontribuojnë në arritjen e vizionit të Strategjisë.

“Kjo nënkupton finalizimin e propozimeve të zgjidhjeve ligjore, të cilat paraqesin bazë juridike për të ecur më tej. Qytetarët duhet të kenë besim tek administrata dhe tek institucionet dhe të ndiejnë se ekzistojnë dhe punojnë për ta dhe për kërkesat e tyre. Në sferën e transformimit digjital, mund të shihet përparim, por është e rëndësishme të mundësohet dhe përmirësohet hapësira që administrata të punojë në një mjedis me mundësi digjitale dhe të fuqizohet për t’i praktikuar ato, me ç’rast, gjithashtu do të arrihet një kualitet më i lartë i shërbimeve për qytetarët dhe për komunitetin e biznesit”, theksoi ministri Aliu, duke shtuar se vetëm me qasje profesionale mund të krijohet një administratë profesionale.

Nëpërmjet video-porosisë u drejtua edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili tha se para qytetarëve po prezantohet dokumenti final mbi Reformat e Administratës Publike deri në vitin 2030-të, me udhëzime të sakta lidhur me përpjekjet reformuese dhe përfundimisht sigurimin e administratës publike moderne, efikase dhe të digjitalizuar sipas rregulloreve dhe praktikave evropiane.

“Kjo është një dëshmi konkrete se ne në mënyrë aktive veprojmë për Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian. Angazhimi ynë është që qytetarët tanë të kenë jetesë më të mirë sipas standardeve evropiane – “në shtëpi”: Ta kenë Evropën në shtëpi”, theksoi Kovaçevski, duke shtuar se Strategjia mbi Reformat e Administratës Publike është në përputhje me Programin e Punës së Qeverisë dhe është dokument plotësuese me të gjitha programet dhe strategjitë për zhvillim lokal dhe decentralizim, për parandalimin e korrupsionit dhe përplasjes së interesave.

Euroambasadori David Geer, theksoi se është me rëndësi kyçe që të zhvillohen përgjigje të mira ndaj sfidave kyçe, pa të cilat nuk mund të funksionojë asnjë vend pa zhvillimin e infrastrukturës, ku rol kyç ka Qeveria dhe kjo është me rëndësi edhe për procesin e integrimit të vendit në BE.

“E di që situata momentale duket e largët, por ekziston avancim, por edhe sfida. Shpesh partitë politike përzihen në emërime, që do të thotë se faktori politik është më i rëndësishëm nga meritat ose kompetencat. Gjithsesi, shumë shpesh mjedisi i komplikua rezulton me bashkëpunim jopërkatës ndërqeveritar dhe mes institucioneve. Këto, janë sfida të cilat nuk i ka vetëm shteti juaj. Nuk jeni të vetëm, me këto sfida përballen shumë vende nëpër botë.

”, tha euroambasadori Geer, duke shtuar se strategjitë janë dokumente të shkëlqyeshme, por vetëm nëse zbatohen.

Gregor Wirant nga SIGMA, potencoi se atë që e dëgjon nga qytetarët, përputhet me gjetjet e tyre. Siç tha ai, ka përparim, por gjithashtu ka edhe një sërë sfidash, qytetarët thonë se nuk janë të kënaqur nga administrata publike.

““Për shembull ekziston obligim që qytetarët të shkojnë nga një institucion në tjetër, apo nga një sportel në një tjetër dhe të bëhen si postier në vend që administrata ta kryejë këtë punë. Strategjia është dokument i mirë, por është vetëm fillimi i udhëtimit. Më e rëndësishme është vullneti politik dhe ndryshimi i kulturës. Vetëm kur t’i pranoni vlerat, siç është punësimi në bazë të meritokracisë, shërbimi i shërbimeve të lehta, atëherë do të fillojë ndryshimi”, tha Wirant duke shtuar se pa vullnet politik dhe ndryshim të kulturës, asgjë nuk mund të ndryshohet.

Drejtoresha e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), Maja Hanxhiska Trendafillova, deklaroi se është shumë e rëndësishme tempo dhe dinamika e zbatimit të Strategjisë, pasi qytetarët janë të lodhur, dhe me arsye.

“Mund të kemi strategjinë më brilante, megjithatë me rëndësi është të kemi vullnet politik dhe kulture të meritokracisë dhe të ofrojmë shërbim publik të fokusuar për qytetarët, dhe kjo është shumë më mirë se të kemi një strategji brilante”, tha Hanxhiska Trendafillova.

Ndryshe, Strategjia për Reforma në Administratë Publike 2023-2030-të, mbështetet në katër shtylla, gjegjësisht, në krijimin e politikave dhe koordinimit; shërbimi publik dhe udhëheqja me burimet njerëzore; përgjegjësi llogaridhënie dhe transparencë; si dhe ofrim të shërbimeve dhe transformimit digjital.

Nëpërmjet këtyre shtyllave, qëllimi është që të krijohen politika efektive, efikase, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në dëshmi, administratë publike të depolitizuar dhe profesionale, funksionim i përgjithshëm, llogaridhënës dhe transparent i institucioneve dhe administratë publike të digjitalizuar.