Në sheshin e Tetovës u përkujtuan viktimat e zjarrit në Koçan (Video)
Komuna e Tetovës, anëtarë të Këshillit Komunal dhe nxënësit e disa prej shkollave të mesme të qytetit kanë vendosur lule në sheshin “Iliria” për nder të viktimave të zjarrit në diskotekën e Koçanit i cili mori jetën e 59 të rinjve, transmeton Portalb.mk.
“Në emrin tim personal dhe në emër të tetovarëve ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave të rastit në Koçan. Ne si Tetovë dhe si Tetovarë qëndrojmë afër familjarëve të gjithë atyre të cilët vdiqën në rastin tragjik, por edhe atyre që janë të lënduar u urojmë shërbim të shpejtë dhe shëndet. Gjithashtu, përkushtimin tonë, si institucione do bëjmë të pamundurën që këto institucione mos na përsëriten”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.
Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 16 deri në 25 vjeç.
Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Sipas hetimeve të mëparshme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar.
Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja. Ky rast renditet si tragjedia e tretë në historinë më të re të Maqedonisë së Veriut për nga numri i viktimave.
Portalb.mk dje ka pasur kronologji të zhvillimeve lidhur me tragjedinë. Mund t’i lexoni në artikullin më poshtë.