Mesazhe ngushëllimi dhe ndihme nga BE-ja dhe SHBA-të për zjarrin në Koçan
Krerë të Bashkimit Evropian si dhe të shteteve anëtare të BE-së kanë shprehur ngushëllime të thella për tragjedinë në Koçan ku humbën jetën mbi 50 të rinj dhe mbi 150 të tjerë u lënduan. Ndihmë ofroi edhe Ambasada Amerikane në Shkup, shkruan Portalb.mk.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas u shpreh e pikëlluar thellësisht për zjarrin tragjik.
“Ngushëllimet e mia për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi. I uroj shërim të shpejtë të lënduarve. BE ndan pikëllimin dhe dhimbjen e popullit të Maqedonisë së Veriut”, tha Kallas.
Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se i vjen keq për humbjet tragjike të jetëve në zjarrin e Koçanit.
“Ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit. BE qëndron në solidaritet me popullin e Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë”, tha ajo.
Mesazh ngushëllimi dërgoi edhe kryetarja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.
“Mendimet e mia këtë mëngjes janë me popullin e Maqedonisë së Veriut dhe me familjet dhe miqtë e të gjithë atyre që humbën jetën në zjarrin e tmerrshëm që shpërtheu këtë natë në Koçan. Të gjithë të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Evropa vajton me ju në këtë ditë tragjike”, tha Metsola.
Reagoi edhe kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Kosta.
“Zemërthyer nga humbja e kaq shumë të rinjve në zjarrin e tmerrshëm në Koçan. Mendimet e mia shkojnë për të gjitha familjet e viktimave të kësaj tragjedie. BE solidarizohet me popullin e Maqedonisë së Veriut në këtë moment pikëllimi”, tha Kosta.
Ambasadorja e SHBA-ve në vend Angela Aggeler tha se ngushëllimet e tyre më të thella shkojnë për viktimat dhe të dashurit e tyre në këtë kohë të tmerrshme, dhe urojnë shërim të shpejtë për ata që u plagosën.
“Humbja e kaq shumë jetëve të rinj në një komunitet është një tragjedi e tmerrshme. I kam ofruar çdo ndihmë dhe burimet e plota të Ambasadës së SHBA Kryeministrit, si dhe lutjet tona për të gjithë ata që vuajnë sot”, tha Aggeler.
Ngushëllime shprehu edhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.
“Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të thella Kryeministrit Hristijan Micksokit dhe populli maqedonas pas zjarrit tragjik që shpërtheu dje në Koçan. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave”, tha Orban.
Mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti kanë dërguar edhe zyrtarë nga vende tjera.
Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.
Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.
LEXO MË SHUMË NË: