Në Maqedoninë e Veriut sot fillojnë ndeshjet e javës së fundit në Ligën e Parë për sezonin 2025/2026

Këtë sezon në Ligën e Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut kemi kampion të ri. Vardari ka siguruar pikët e nevojshme për tu bërë kampion, një javë para përmbylljes së kampionatit, transmeton Portalb.mk.

Ndeshja e fundit e Vardarit do të jetë kundër ekipit të Shkëndijës, kundërshtarit kryesor të kampionëve. Shkëndija në këtë ndeshje do të futet pa gjasa për kampion, sikurse edhe i mbaruan gjasat për të fituar Kupën e Maqedonisë së Veriut. Ndeshja Vardar – Shkëndija do të luhet në Shkup prej orës 18:00.

Sot do të luhet edhe ndeshja ndërmjet Arsimit dhe Strugës duke filluar prej orës 16:00.

Ekipi i fundit në tabelë, Shkupi, do të përballet si mysafir kundër AP Brerës. Po të shtunën, duke filluar prej orës 16:30, në Manastir do të luajnë Pelisteri kundër Bashkimit.

Kampionati do të përmbyllet të hënën me dy ndeshjet, Rabotniçki – Tikvesh dhe Makedonija Gj.P. – Sileks.

Ndryshe, pas shumë vitesh, ekipet shqiptare nuk do të marrin një trofe brenda një sezoni, pasi kampion i Ligës së Parë u shpall Vardari, ndërsa Sileksi e fitoi Kupën e Maqedonisë së Veriut.