Në mandatin katërvjeçar BDI e le Kodrën e Diellit ashtu siç e gjeti, pa investimin “e madh” të premtuar

Zotimet parazgjedhore të vitit 2020 të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për investime të ndryshme dhe përmirësimin e kushteve të qendrës turistike Kodra e Diellit nuk janë realizuar siç u premtuan. Të pyetur nga Portalb.mk se pse nuk janë realizuar premtimet, BDI hesht.

Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, te pjesa e zhvillimit të turizmit, në faqe 115 përmendet një serrë premtimesh për Kodrën e Diellit.

“Dhënien e kapaciteteve hotelerike dhe ski-lifteve në menaxhim publiko-privat që do të mundësojë investime te reja ne Kodrën e Diellit. Çdo investim në kapacitetet hotelerike do të ketë për qëllim sjelljen e brendeve botërore dhe ngritjen e kapaciteteve të shërbimit. Projekti në vlerë prej 1.8 – 2 milion Euro për ndërtim të parkingut me kapacitet për 350 automjete, i ndriçuar dhe me rrugë qasëse, me çka do të tejkalohen problemet e deritanishme me të cilat ballafaqohen turistët e Kodrës së Diellit. Ndërtimi i sistemit për borë artificiale (2-2.2 milion euro). Plotësimi i kushteve të nevojshme për skijim gjatë sezonit të dimrit, kur ka mungesë të borës natyrale… Gondola që lidh Tetovën me Kodrën e Diellit. Projektimi i gondolës në vlerë prej 300 mijë euro. Pas kësaj faze do të sigurohet buxheti i nevojshëm për ndërtimin e së njëjtës”, thuhet në programin zgjedhor të BDI-së 2020/2024.

Ndërtimi i teleferikut Tetovë – Kodra e Diellit përmendet edhe në faqe 175 të programit.

Sot, katër vite më vonë në terren nuk janë realizuar këto zotime. Për mosrealizimin e tyre BDI nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk.

Në lidhje me dhënien e kapaciteteve hotelierike dhe ski lifteve në menaxhim publiko-privat që do të mundësojnë investime të reja në Kodrën e Diellit, sjelljen e brendeve botërore dhe ngritjen e kapaciteteve të shërbimit, në dhjetor 2022 pati shpresa për ringjallje të Kodrës së Dielllit, kur kompania italiane “TechnoAlpin” në Qeverinë e RMV-së e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Megjithatë, marrëveshje nuk është nënshkruar pasi bisedimet nuk kanë mbaruar.

Deri tani nuk është realizuar projekti në vlerë prej 1.8 – 2 milion euro për ndërtim të parkingut me kapacitet për 350 automjete, i ndriçuar dhe me rrugë qasëse, me çka do të tejkaloheshin problemet e deritanishme me të cilat ballafaqohen turistët e Kodrës së Diellit. Zgjidhje edhe për këtë problem u prezantua në ofertën e TechnoAlpin. Ndërsa në ndërkohë për të zbutur problemin me kaosin e mungesës së parkingjeve, menaxhmenti i Kodrës së Diellit në vitin 2021 shndërroi në parking dy parcela. Ndërsa u siguruan edhe dy furgonë që do bartnin turistët gjatë fundjavave nga Guri i Sidollit deri në Kodrën e Diellit.

Ndërtimi i sistemit për borë artificiale (2-2.2 milion euro) dhe plotësimi i kushteve të nevojshme për skijim gjatë sezonit të dimrit kur ka mungesë të borës natyrale mbetën vetëm fjalë të shkruara në letër. Kjo nuk u bë. Zgjidhja për këtë problem përfshihet në ofertën e “TechnoAlpin” edhe atë që në fazën e parë, por ende nuk ka marrëveshje të nënshkruar. Si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve të borës, sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit viteve të fundit nuk ka qenë i suksesshëm, kështu duke filluar dhe duke u ndërprerë në varësi të reshjeve të borës.

Nuk u bë as ndërtimi i teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit i cili shihet si zgjidhje e problemit të kaosit në trafik. Vënia në funksion e teleferikut nga Tetova për në Kodër të Diellit ishte kusht për Investimin e TechnoAlpin në qendrën turistike, megjithatë bisedimet edhe për këtë vijojnë, ndërsa nuk ka ende marrëveshje. Teleferiku nga Tetova në Kodrën e Dellit në të kaluarën ka qenë funksional nga viti 1962 deri në vitin 2001, por sot kjo mbetet vetëm një kujtim për ata të cilët patën mundësinë ta përjetojnë.

Rikujtojmë se Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.