Punëtorët që ranë në lum gjatë shembjes së urës në ShBA janë shpallur të vdekur, të gjithë ishin emigrantë

Policia e shtetit të Maryland tha se gjashtë personat që u zhdukën pas shembjes së urës së djeshme në Baltimore supozohen të vdekur, por kërkimet në ujërat e lumit Patapsco do të vazhdojnë edhe sot. Ura e Francis Scott Key, gati dy milje e gjatë, u shemb pasi një anije e madhe mallrash e goditi atë dhe fatkeqësia çoi në mbylljen e pacaktuar të Portit të Baltimores, një nga më të ngarkuarit në Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht i rëndësishëm për industrinë e automobilave, transmeton Portalb.mk.

Me shpresat për gjetjen e punëtorëve duke u zbehur, kërkimi u ndërpre në mbrëmje, 18 orë pasi ata ranë në lumin e ftohtë. Përpjekjet e shpëtimit u penguan gjithashtu nga dukshmëria e dobët dhe rrymat e rrezikshme rreth mbetjeve të urës.

“Shpresojmë të kthejmë zhytësit në lumë këtë mëngjes dhe të fillojmë një kërkim edhe më të detajuar për të gjetur trupat e personave të zhdukur. Ne nuk besojmë se dikush ka mbijetuar,” tha koloneli i policisë Roland Butler.

Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë dje nga lumi dy persona, njëri prej të cilëve ndodhet në spital. Të gjithë ata ishin pjesë e ekipit të punëtorëve të ndërtimit që po riparonin gropat në rrugën e urës në momentin e aksidentit. Punëtorët besohet se janë shtetas të Meksikës, Guatemalës dhe El Salvadorit.

Anija “Dali” e gjatë gati 300 metra sapo kishte nisur udhëtimin për në Sri Lanka kur humbi kontrollin dhe goditi një nga shtyllat e urës. Anija paraprakisht kishte bërë thirrje për ndihmë, për shkak të së cilës qarkullimi nëpër urë u ndal në kohë. Deri më tani nuk ka asnjë informacion të konfirmuar nëse dhe sa vetura kanë rënë në lumë.