Në Kuvend u prezantuan prioritetet e Presidencës së Qipros me Këshillin e BE-së
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ambasadori i Qipros i prezantoi prioritetet e kryesimit të vendit të tij me Këshillin e BE-së, transmeton Portalb.mk.
Në mbledhjen e përbashkët e Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Komisionit për Çështje Evropiane ambasadori i Republikës së Qipros, Andreas Fotiu, në fjalimin e tij, e prezantoi moton “Evropa Autonome, e Hapur ndaj Botës”, duke theksuar prioritetet e forcimit të sigurisë dhe gatishmërisë së mbrojtjes, avancimit të konkurrueshmërisë, transparencës ndaj botës, promovimit të vlerave evropiane dhe sigurimit të stabilitetit afatgjatë të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është një pjesë e rëndësishme e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, përshëndeti reformat e zbatuara në vend dhe inkurajoi përpjekjet e vazhdueshme për të avancuar më tej integrimin evropian.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues nga kori diplomatik, ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali; deputetët si dhe anëtarët e sektorit civil dhe organizatave qytetare.
Presidenca e Qipros në Këshillin e BE-së e vendos autonominë strategjike në qendër të agjendës, me theks të fortë në siguri, mbrojtje, konkurrueshmëri, energji, kohezion social dhe buxhet afatgjatë. Zgjerimi i BE-së, ashtu sikurse edhe me presidencat e kaluara, përmendet si proces strategjik, Ballkani Perëndimor nuk zë vend prioritar dhe as nuk trajtohet me fokus të veçantë.
Maqedonia e Veriut, ashtu si në presidencat paraprake, nuk përmendet konkretisht pavarësisht statusit të saj si vend negociator dhe sfidave të hapura politike që kërkojnë ndërmjetësim aktiv evropian. Ukraina mbetet përparësia absolute politike dhe gjeostrategjike, e shoqëruar me angazhim të qartë diplomatik, financiar dhe ushtarak.
Në këtë kontekst, zgjerimi drejt Ballkanit shfaqet më shumë si deklaratë parimore dhe pjesë e retorikës tradicionale të BE-së, sesa si objektiv operacional me hapa të qartë, afate konkrete dhe vullnet politik për të prodhuar rezultate të prekshme në terren