Transportuesit nga katër vende të Ballkanit sot i bllokuan kufijtë për shkak të sistemit EES për qëndrim
Transportuesit nga sot në orën 12:00 i kanë bllokuar të gjitha pikat kufitare në vend. Bllokada vjen pas vendimit të Komisionit Evropian nga muaji prill, sipas të cilit transportuesve që me kamionë transportojnë produkte dhe mallra u lejohet qëndrimi në vendet e zonës Shengen vetëm 90 ditë, transmeton Portalb.mk.
Nuk pati bllokada në korsitë e dedikuara për qarkullimin e automjeteve për udhëtarë.
Ndërkaq u mbyllën terminalet kufitare për hyrjen e mjeteve motorike të mallrave në territorin e vendit dhe korsitë rrugore në vetë pikat kufitare për dalje nga shteti, por vetëm në pjesën e trafikut të mallrave.
U bllokuan pikat kufitare Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllacë, Bllatë dhe Stenjë.
Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Punëdhënësve të Kompanive të Transportit të Republikës së Maqedonisë, “Makam-trans”, Biljana Muratovska ka thënë se se kërkesa kryesore e transportuesve është të gjendet zgjidhje për qëndrimin e shoferëve në zonën Shengen, në mënyrë që ditët të mos regjistrohen ose të lëshohet ndonjë lloj vize që nuk është e kufizuar nga numri i ditëve.
Ajo theksoi se rregullat e reja do të nënkuptonin kolaps të plotë të ekonomisë në vend dhe në Ballkan.
Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski ka thënë se rregullat e reja për hyrjen në zonën Shengen nuk zgjidhin asgjë për të përmirësuar një zonë specifike në BE, dhe ato kanë ndikim të keq në biznes dhe do të krijojnë probleme serioze.
Sipas Odës së Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, problemi i zbatimit të rregullit 90/180-ditor për shoferët në transportin e mallrave duhet të kërkohet ekskluzivisht përmes institucioneve, dhe jo me bllokada në pikat kufitare, në mënyrë që të mos shkaktohet kolaps i të gjithë ekonomisë në vend dhe rajon. Ata thonë se bllokadat nuk mund të jenë zgjidhje, sepse nëse rrjedha e mallrave në pikat kufitare me BE-në ndërpritet vetëm për një ditë, dhe jo shtatë ditë, siç është njoftuar, humbësit nuk janë vetëm transportuesit në trafikun rrugor ndërkombëtar, por të gjitha subjektet afariste të përfshira në bashkëpunimin tregtar të jashtëm.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, ditë më parë deklaroi se e kanë ngritur këtë alarm në BE.
Përveç se në Maqedoninë e Veriut, protestë u mbajt edhe në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.