Ministrja austriake për Evropën: Propozimi për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar meriton shqyrtim serioz

Çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen përmes dialogut dypalësh dhe nuk duhet të lejohet që ato ta mbajnë peng të gjithë procesin e anëtarësimit, deklaroi ministrja austriake për Evropën, Klaudia Bauer, në një intervistë për gazetën “Sloboden Peçat”, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si mund të zgjidhet kontesti dypalësh me Bullgarinë, për shkak të të cilit është bllokuar integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut, ajo tha se Austria është e gatshme të mbështesë një dialog konstruktiv dhe një kompromis të drejtë.

“Gjithashtu, mbështesim votimin me shumicë të cilësuar për hapat teknikë, në mënyrë që një shtet anëtar të mos mund ta bllokojë çdo vendim të vogël. Ndryshimet kushtetuese mbeten një hap i dakorduar drejt hapjes së klasterit të parë. Por ato nuk duhet të çojnë në një varg të pafund kërkesash të reja. Maqedonisë së Veriut i nevojitet qartësi dhe duhet ta dijë se kur t’i përmbushë detyrimet e saj, edhe BE-ja do t’i përmbushë të vetat”, deklaroi Bauer.

Ajo thotë se e kupton pse qytetarët e Maqedonisë së Veriut kërkojnë siguri, përkatësisht garanci se pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, procesi do të vazhdojë pa kushte të reja dypalëshe. Siç shton ajo, rregullat duhet të jenë të qarta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme dhe kushtet nuk mund të ndryshohen derisa një shtet përpiqet t’i përmbushë ato.

“BE-ja duhet të qëndrojë pas kornizës së dakorduar negociuese. Kur Maqedonia e Veriut ta ndërmarrë hapin e dakorduar, Evropa duhet të jetë e gatshme të ecë përpara. Detyrimet duhet të vlejnë në të dyja drejtimet. Sinjalet e qarta politike nga BE-ja dhe Bullgaria janë thelbësore për rindërtimin e besimit”, thotë Bauer.

Sipas saj, propozimi që ndryshimet kushtetuese të miratohen me efekt të shtyrë, si një kompromis i mundshëm, meriton shqyrtim serioz, pasi, siç theksoi, në situata të vështira nevojiten fleksibilitet, pragmatizëm dhe zgjidhje kreative.

“Prandaj, ky propozim meriton shqyrtim serioz. Çdo zgjidhje duhet të jetë juridikisht e qëndrueshme, të respektojë kornizën negociuese dhe të jetë e pranueshme për të gjitha palët. Por unë jam e hapur për çdo kompromis serioz që mund ta tejkalojë ngërçin dhe ta afrojë Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian”, shton Bauer.

Sipas saj, Evropa duhet të marrë përgjegjësi për ruajtjen e besimit të qytetarëve të Maqedonisë në projektin evropian. Besimi, thotë Bauer, është valuta më e rëndësishme e BE-së dhe ai rrezikohet kur krijohet përshtypja se kushtet ndryshojnë vazhdimisht.

“Anëtarësimi është rrugë me dy drejtime. Vendet kandidate duhet të zbatojnë reformat, por kur ato i përmbushin detyrimet, edhe Evropa duhet të përmbushë të sajat. Nuk mund ta zhvendosim vazhdimisht cakun. Integrimi gradual mund të sjellë rezultate të dukshme në fusha si SEPA, roamingu apo tregu i përbashkët. Evropa duhet të bëhet një realitet që jetohet, veçanërisht për të rinjtë”, vlerëson Bauer.

Në intervistën për “Sloboden Peçat”, ministrja Bauer thotë se mund ta imagjinojë Maqedoninë e Veriut duke iu bashkuar BE-së gjatë kësaj dekade, por për këtë do të nevojiten guxim dhe vullnet politik, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Bashkimin Evropian.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.