Qipro premton mentalitet ndryshe teksa merr presidencën e BE-së 

Qipro thotë se do të sjellë “një qasje të re në tryezë” kur të marrë presidencën e Bashkimit Evropian të enjten, në një kohë kur mbrojtja, migracioni dhe Ukraina vazhdojnë të jenë në krye të agjendës, mes pasigurive të theksuara gjeopolitike, shkruan The Guardian, transmeton Portalb.mk

Si një nga shtetet më të vogla anëtare të bllokut, Qipro do ta përballojë mandatin e saj gjashtëmujor në krye të BE-së me disiplinë dhe përkushtim, por edhe me “një mentalitet ndryshe”, tha ministri i Jashtëm qipriot, Konstantinos Kombos. 

“Ne besojmë se shtetet e vogla kanë shumë për të ofruar në situata të tilla,” tha Kombos.

“Është një mentalitet krejtësisht tjetër që mund të sillni në tryezë, një qasje tjetër. Si shtet i vogël, ne jemi të përkushtuar. Nuk e shohim (presidencën) si diçka që thjesht duhet ta bëjmë; ne duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.” 

Ndërsa konflikti në Ukrainë hyn në vitin e katërt, ministri i Jashtëm tha se fokusi i BE-së do të mbetet te vendi i shkatërruar nga lufta dhe agresioni i Rusisë. Më shumë se 50 vjet pas pushtimit turk, të nisur si reagim ndaj një grushti shteti që synonte bashkimin me Greqinë, qipriotët e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë përplasje ushtarake dhe okupim, tha ai. 

Edhe pse vendi i Mesdheut Lindor dikur kishte marrëdhënie të ngushta me Moskën, me rusë me pasuri të mëdha, përfshirë oligarkë të afërt me Vlladimir Putinin, që kërkonin strehë në brigjet e tij, ai tha se Qipro është veçanërisht e ndjeshme ndaj vuajtjeve të ukrainasve. 

“Agjenda me të drejtë është për Ukrainën dhe do të mbetet e tillë,” tha Kombos, akademik përpara se të emërohej në këtë post. “Por ne duam të sjellim në diskutim edhe çështje që lidhen me rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme, sepse e shohim Qipron si pjesë të atij rajoni gjithashtu.” 

Qipro ka shpenzuar më shumë se dy vjet duke u përgatitur për këtë rol, të cilin e mbajti për herë të fundit në vitin 2012. Diplomatët e BE-së i përshkruajnë dosjet që ajo synon të shtyjë përpara si shumë ambicioze. Ndërtesat dhe rrugët në Nikozia, kryeqytetin e ndarë, janë rregulluar, ndërsa vizitorët priten me banderola “Presidenca e BE-së e Qipros” sapo mbërrijnë në aeroportin ndërkombëtar të ishullit. 

Megjithatë, ndarja e vazhdueshme e ishullit midis jugut greko-qipriot të njohur ndërkombëtarisht dhe veriut turko-qipriot të shkëputur ka ngritur shqetësime. 

Zyrtarët shprehin hapur frikën se tensionet e vazhdueshme me Turqinë mund të pengojnë bashkëpunimin ushtarak me Ankaranë, në një kohë kur afrimi më i madh shihet nga Brukseli si thelbësor për stabilitetin. 

Nikozia, ashtu si Athina, ka bllokuar pjesëmarrjen e këtij vendi anëtar të NATO-s në programin e prokurimit të mbrojtjes të financuar nga BE-ja, SAFE, me presidentin qipriot Nikos Kristodoulides që e ka përjashtuar këtë mundësi, duke përmendur praninë e trupave turke në veri si okupim të territorit të BE-së. 

Përpjekja për ribashkimin e vendit sjell edhe më shumë kompleksitet. Prej kohësh e konsideruar si varrezë për ndërmjetësit e paqes, Qipro është mosmarrëveshja diplomatike më e gjatë e Perëndimit. 

Në intervistën e tij, Kombos këmbënguli se Nikozia nuk do t’i “vërë pengesa” marrëdhënieve të bllokut me Ankaranë. 

“Presidenti ka thënë publikisht se do të dëshironte ta shihte presidentin Erdogan të marrë pjesë në mbledhjen informale të këshillit në prill,” tha ai. “Ne nuk do ta përdorim presidencën për të ngritur çështje kombëtare.” 

Në rolin drejtues, vendi me rreth 1.2 milionë banorë do të mbikëqyrë agjendën legjislative të BE-së dhe rrjedhën e negociatave diplomatike. Kristodoulides është zotuar se do t’i japë përparësi sigurisë dhe gatishmërisë mbrojtëse për të forcuar autonominë strategjike të unionit. 

Motoja e presidencës qipriote është “një union autonom, i hapur ndaj botës”, që sipas zyrtarëve qipriotë pasqyron vendosmërinë e vendit për të zbatuar politika që rrisin pavarësinë dhe angazhimin global të bllokut. Në këtë frymë, shtoi Kombos, do të vihet theks i veçantë në shfrytëzimin e potencialit të rajoneve që shpesh mbeten jashtë vëmendjes, me hapa konkretë për të forcuar praninë e BE-së. 

“Zakonisht kjo pjesë e botës lidhet me kriza dhe evropianët angazhohen kur kanë një krizë për të menaxhuar,” tha ai, duke përmendur Sirinë, Gazën, Libanin dhe Detin e Kuq. “Por ky është gjithashtu një rajon mundësish.” 

Ndërsa tarifat e administratës Trump po tronditin tregtinë globale, zyrtarët qipriotë thonë se kurrë nuk ka pasur një moment më të përshtatshëm që BE-ja të kërkojë tregje alternative. 

Kombos u zotua se, me konkurrueshmërinë e bllokut gjithashtu lart në agjendë, Qipro do ta përdorë presidencën e saj për të ndërtuar një zonë të tregtisë së lirë mes Indisë dhe BE-së. 

“Ne duam ta hapim BE-në drejt Lindjes së Mesme, drejt Indisë,” tha Kombos. “BE-ja është sukses pikërisht sepse ka arritur të kalojë të gjitha krizat që i janë dashur të përballojë. Pavarësisht gjithë dëshpërimit dhe ankesave për mënyrën si funksionon, për të gjitha mangësitë e saj, ajo na surprizon të gjithëve sepse gjithmonë ecën përpara, gjithmonë evoluon.”