Agon Ferati: Bashkëjetesën s’e përcakton distanca mes shtëpive, të rinjtë ta kuptojnë se diversiteti nuk është kërcënim

Bashkëjetesa mes komuniteteve në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga temat më të pranishme në debatin publik, por pyetja që shpesh lihet mënjanë është se sa ajo përjetohet realisht në jetën e përditshme. Dallimet etnike, ato gjinore, si dhe format e tjera më pak të dukshme të pabarazisë që lidhen me mënyrën si dikush jeton apo e shpreh veten, vazhdojnë të jenë të pranishme në mënyrën se si njerëzit mësojnë, shoqërohen, punojnë dhe krijojnë marrëdhënie me njëri-tjetrin. Për të rinjtë, të cilët duhet të jenë brezi që i tejkalon ndarjet e së kaluarës, kjo shpesh nënkupton rritje në mjedise të ndara dhe me pak mundësi për t’u njohur natyrshëm me bashkëmoshatarë të ndryshëm nga vetja, qofshin nga komunitete të tjera apo thjesht me përvoja jetësore ndryshe. Për këto çështje, Mollëkuqja bisedoi me ministrin për Marrëdhënie midis Bashkësive, Agon Feratin, me të cilin folëm për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve, rolin e të rinjve, ndarjet në arsim, ndikimin e politikës dhe përgjegjësinë e institucioneve në krijimin e një shoqërie ku dallimet nuk kthehen në barriera.

Flitet shumë për bashkëjetesë, por sa e ndiejnë realisht qytetarët, veçanërisht të rinjtë, këtë në përditshmëri?

Po, është e vërtetë që flitet shumë për bashkëjetesën, dhe mendoj se kjo është mirë për shoqërinë. Fakti që sot flasim më shumë për respektin, mirëkuptimin dhe jetën së bashku është një shenjë se si shoqëri kemi avancuar. Por tani duhet të bëjmë hapin tjetër: ta jetojmë bashkëjetesën, jo vetëm ta përmendim.

Sepse bashkëjetesa nuk është vetëm të jetosh pranë dikujt që është ndryshe nga ti. Bashkëjetesa është të ulesh me të në të njëjtën tavolinë, të punosh me të, të krijosh diçka së bashku dhe të kuptosh se dallimi nuk është kërcënim, por mund të jetë pasuri.

Të rinjtë ende përballen me barriera që ndonjëherë nuk duken, por janë reale. Nga ndarja në shkolla, deri te mungesa e hapësirave ku mund të njihen dhe të bashkëpunojnë. Pikërisht këtu e shoh rolin e Ministrisë: jo t’u themi njerëzve se si duhet të jetojnë, por t’u krijojmë mundësi që të takohen, të njihen dhe të ndërtojnë besim. Këtu dua të them diçka shumë të rëndësishme: nuk duhet t’i lëmë të rinjtë të jetojnë me frikërat dhe konfliktet e gjeneratave të mëparshme. Shumë prej ndarjeve që vazhdojmë t’i diskutojmë sot janë krijuar në një kohë tjetër, në një realitet tjetër dhe me një mentalitet tjetër.

Të rinjtë e sotëm kanë të drejtë ta shkruajnë historinë e tyre. Mos t’ua përcaktojmë të ardhmen me hartën e konflikteve të së kaluarës. Le t’i dëgjojmë të rinjtë kur flasin për arsimin, teknologjinë, punën, Evropën, sipërmarrjen, kulturën dhe mundësitë që duan të krijojnë së bashku. Unë besoj se shteti nuk duhet t’u mësojë të rinjve kë të duan dhe kë të mos duan. Shteti duhet t’u krijojë mundësinë të takohen. Sepse kur njerëzit takohen, paragjykimet fillojnë të bien. Kur bashkëpunojnë, lind besimi. Dhe kur krijojnë së bashku, lind një identitet i ri qytetar që është më i madh se ndarjet tona.

A mendoni se politika dhe partitë ende i ushqejnë ndarjet etnike kur u leverdis politikisht?

Po, fatkeqësisht, politika dhe partitë ende përpiqen t’i ushqejnë ndarjet etnike atëherë kur u leverdis politikisht. Por mendoj se ky tashmë është një film i harxhuar. Qytetarët e kuptojnë shumë më mirë se më parë se pas kësaj retorike, në thelb, shpesh fshihet varfëria e ideve dhe mungesa e një vizioni real për të ardhmen.

Madje, mendoj se duhet ta themi shumë qartë: retorika radikale dhe etnike po bëhet gjithnjë e më shumë një recetë për dështim elektoral. Ne jemi dëshmitarë se partitë që tentojnë të mobilizojnë votuesit përmes frikës, konfliktit dhe përçarjes e kanë shumë më të vështirë të përparojnë politikisht sesa partitë e moderuara që ofrojnë zgjidhje konkrete. Sot qytetari nuk voton vetëm mbi atë se kush jemi “ne” dhe kush janë “ata”; ai pyet çfarë ke bërë, çfarë ofron dhe çfarë të ardhmeje i garanton atij dhe brezave që vijnë pas.

Pra, ndarja etnike mund të jetë një instrument për të marrë disa vota në afat të shkurtër, por nuk është më strategji për të fituar besimin e shumicës së qytetarëve.

Prandaj, si Ministër për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, besoj se duhet ta ndryshojmë edhe vetë gjuhën e politikës: nga politika e ndarjes tek politika e bashkëpunimit. Sepse mund të fitosh një debat duke ndezur ndarjet, por nuk fiton zgjedhje afatgjatë duke u ofruar qytetarëve vetëm frikë dhe konflikt. Sot qytetari kërkon rezultate dhe kur nuk i merr, ndëshkon.

Sa efektive janë në praktikë politikat dhe projektet e Ministrisë për afrimin e komuniteteve, dhe a keni të dhëna që tregojnë rezultate konkrete?

Mendoj se efektiviteti i politikave tona duhet të shihet pikërisht në atë që thashë më herët: ta kthejmë bashkëjetesën nga një koncept që vetëm e përmendim, në diçka që e jetojmë çdo ditë. Kemi projekte që bashkojnë të rinj nga komunitete të ndryshme, krijojnë aktivitete të përbashkëta dhe hapësira ku ata mund të takohen, të njihen dhe të bashkëpunojnë.

Por ambicia jonë është më e madhe. Nuk dua që suksesi i Ministrisë të matet me sa projekte kemi financuar, por me sa ndryshim kemi krijuar. Prandaj duam indikatorë konkretë: sa të rinj janë përfshirë, sa komunitete kanë bashkëpunuar, sa iniciativa të përbashkëta janë krijuar dhe, mbi të gjitha, a është rritur besimi dhe mirëkuptimi mes tyre.

Sepse në fund, statistika më e rëndësishme nuk është sa aktivitete kemi organizuar. Është nëse një i ri që dje e shihte tjetrin si “dikë tjetër”, sot e sheh si shok, koleg apo partner për të ndërtuar diçka së bashku. Aty fillon ndryshimi i vërtetë dhe aty duhet ta masim suksesin e Ministrisë.

Pse të rinjtë në shumë raste ende rriten dhe arsimohen në mjedise të ndara etnikisht? A është ky dështim i institucioneve?

Po, mendoj se ndarja etnike në arsim është një nga sfidat që duhet ta pranojmë hapur. Nuk do të ishte e drejtë ta mohonim, por as nuk është e drejtë t’ia atribuojmë vetëm një institucioni apo një qeverie. Kjo është një çështje që është krijuar ndër vite dhe lidhet me shumë faktorë, duke filluar nga infrastruktura dhe mënyra e organizimit të arsimit, deri te mentaliteti, paragjykimet dhe frika që shpesh trashëgojmë nga gjeneratat e mëparshme.

Por kjo nuk do të thotë se institucionet nuk kanë përgjegjësi. Përkundrazi, përgjegjësia jonë është të krijojmë mundësi që këto barriera të zvogëlohen. Nuk mund t’u kërkojmë të rinjve të ndërtojnë marrëdhënie me njëri-tjetrin nëse shteti nuk u krijon hapësira ku ata mund të takohen, të komunikojnë dhe të punojnë së bashku.

Dhe këtu besoj se duhet të ndryshojmë qasjen. Nuk mjafton t’u themi të rinjve “bashkëjetoni”. Duhet t’u japim arsye për të qenë bashkë. Të mësojnë së bashku, të merren me sport, teknologji, kulturë, sipërmarrje, të krijojnë projekte dhe të zgjidhin probleme të përbashkëta.

Çfarë përgjegjësie merrni si ministër nëse pas disa vitesh të rinjtë shqiptarë, maqedonas dhe komunitetet e tjera vazhdojnë të jetojnë më shumë paralelisht sesa bashkë?

Përgjegjësinë time e shoh shumë qartë: dua që në fund të mandatit tim të mund të them se kemi krijuar më shumë ura, më shumë hapësira të përbashkëta dhe më shumë mundësi që qytetarët të takohen, të njihen, të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë besim mes tyre. Një hap konkret në këtë drejtim ishte shënimi i 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Për herë të parë, vendosëm ta nxjerrim këtë manifestim nga kornizat tradicionale njëpartiake dhe njëetnike, nga hapësirat e mbyllura, dhe ta sjellim në zemër të Shkupit, në qiell të hapur pranë Urës së Gurit. E bëmë me një protokoll shtetëror gjithëpërfshirës, ku të gjitha komunitetet të ndiheshin pjesë e një ngjarjeje të përbashkët, ndërsa artin dhe muzikën i shndërruam në një gjuhë që nuk ndan, por afron njerëzit.

Edhe në panelet e diskutimit u përpoqëm të krijojmë hapësirë të barabartë për të gjitha komunitetet. Nuk ishte e lehtë. U përballëm me paragjykime dhe madje disa figura publike refuzuan pjesëmarrjen. Për mua, kjo ishte një dëshmi se sa shumë punë kemi përpara, por edhe një arsye më shumë për të mos u tërhequr.

Sepse nëse njerëzit ende hezitojnë të ulen në të njëjtën tavolinë, roli ynë është t’i krijojmë ato tavolina. Nuk mund t’i zhdukim paragjykimet me një deklaratë, por mund të krijojmë mundësi që njerëzit të takohen, të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të zbulojnë se kanë shumë më tepër të përbashkëta sesa mendojnë. Në fund, kjo është përgjegjësia që dua të mbaj: jo vetëm të flasim për bashkëjetesën, por të krijojmë kushtet që një gjeneratë e re ta jetojë atë.