Në kujtim të Murtezan Arifit

Murtezan Arifi e ka vendin në mesin e poetëve më të mirë të gjeneratës së tij. Këtë nuk e them pse qe njëri ndër miqtë e mi më të afërt gjersa iku nga kjo botë, në vitin 2001, po pse vërtet qe i tillë, gjë që e dëshmojnë poezitë e pavdekshme që la pas vetes.

Murtezani lindi më 1950, në katundin Llërcë të Tetovës. Shkollën fillore dhe të mesmen e mbaroi në Tetovë, kurse të Lartën në Shkup. Tërë jetën punoi si mësues i Gjuhës dhe letërsisë shqipe. Vokacioni i tij ishte poezia, po shkroi me sukses edhe tregimin e shkurtër dhe prozën eseistike. Mori pjesë në shumë konkurse letrare dhe qe fitues i shumë shpërblimeve që do t’i benin nder secilit krijues serioz. Me shumë dashuri shkroi dhe vjersha, tregime e pjesë dramatike për fëmijë. U dallua me rolet e tij në grupin e dramës në SHKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës. Në vitet 1991-1993, bashkë me autorin e këtij shkrimi, mbajti mbi supe magazinin e përmuajshëm informativ “Tribuna-SH”. Kurse në vitin 1995, sërish bashkë, themeluam revistën për art dhe kulturë “Brezi 9”.

Murtezani botoi me gjallje dy përmbledhje poetike: “Lulet e acarit” dhe “Syri i zemrës”, kurse pas vdekjes shtëpia botuese “Brezi 9” ia botoi vëllimin poetik “Barka yjore”, në të cilin u perfshine të gjitha poezitë e tij.

Poezitë e Murtezan Arifit vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e adhuruesve dhe specialistëve të artit letrar, por, mjerisht, jo në masën që e meritojnë. Megjithatë shkrimet më të panjohura të tij janë prozat e shkurtëra të tipit të kolumnave, me të cilat portretoi shkurt e qartë rrethanat me të cilat u përballën shqiptarët në vitet e fundit të shekullit njëzet. Shijoni në vijim disa prej perlave akoma të freskëta të këtij mjeshtri të shkrimit shqip, të botuara gjatë vitit 1993 në revistën “Tribuna-SH”, të cilat lexuesit e sotëm nuk kanë mundësi t’i lexojnë gjetiu.

15 korrik 1993

Ne jemi shqiptarë! Pastaj katolikë, myslimanë, ortodoksë… Pra, truç e shqip, ne jemi shqiptarë. Këtë e dinë edhe në Pragë, edhe në Vienë, edhe në Nju Jork, edhe në Moskë, edhe… (Ju flet Radio Moska në gjuhën shqipe. Jo, asnjëherë, në gjuhën shqipe myslimane, as ortodokse, as katolike, as…). Ja, pranë e kam të ndriturin Josif BAGERI (1870-1914), gazetën e tij, “Shqypeja e Shqypënis”, veprën “Kopësht malësori”, në shqipe të kulluar… Shqiptar nga Nistrova e Rekës së Epërme. ORTODOKS… A thua ç’do të thoshte i ndrituri Josif BAGERI kur të dëgjonte tejrin duke thënë: shqiptarët myslimanë, ardhacakë… (?!) Dikush e ka harruar 1912… me tërë domethënien e vet… Ne, shqiptarët, kemi një fjalë të urtë: Të ta them sa s’ma ke thënë!

15 gusht 1993

Ja, kjo politikë ME GJETH FIKU… Krejt lakuriq. Po, ama, ai gjeth fiku… Ah! Ah! Ah!… A thua do t’i bjerë kësaj SHTATOREJE gjethi i fikut? Dhe, që thua ti, të zbulohet e tëra?… ZONJA EVROPË, ajo zonjë e rëndë, rri pa lëvizur. Po me atë buzëqeshje të ëmbël për disa, po ai CINIZËM për disa. Dhe, prit se do të fryjë era e ta rrëzojë gjethin. Prit nëse s’ke punë… Evropa e bukur e ëndrrës së një agimi tretet pas maskave ballkanase. para pluhurit të trurit ballkanas ajo pështyn: Phu! Phu! Phu! Na ndihmoftë Zoti, nëse s’i ka ngritur duart edhe Ai nga ne.

15 tetor 1993

Në gazetën “Bujku” të ditës së mërkurë, 12 tetor 1993, lexoj një emër që s’e kam të njohur: Kaplan Resulbegoviq, (që ne e kemi njohur si Kapllan Kallushi) që gërditshëm vjell në gazetën “Pobjeda” të Podgoricës. Ky K. R. e paska pasur gjuhë amnore serbishten! Pastaj paska botuar edhe në gjuhën serbe! Por, ai, rastësisht diplomon në Shkollën e Lartë Pedagogjike – grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Shkup… Ai paska dy fëmijë: ALBANIN dhe ALBANËN që vetë i quan DUSHAN dhe DUSHANKA (?!). Problem i tij, do të thoshte dikush. Ndoshta në këtë mënyrë (si shkrimtar malazias) dëshiron të kandidohet për çmimin Nobël, pasi në letërsinë shqipe zë një vend tejet modest. Emrin e tij si shkrimtar në letërsinë shqipe mund ta konsiderosh si ekzemplarin më tipik të një mediokri, “arti” i të cilit të shkakton dhembje koke me shterpësinë e vet.

15 nëntor 1993

Ç’nuk ndodh në dimër. Veçanërisht në dimrin e ftohtë ballkanik me plot mjegull. Dhe ky acar dhe kjo mjegull prodhon qenie mitike nga më të çuditshmet, që na kthejnë diku në moshën fëmijërore të civilizimit, kur flisnim me diellin, hënën, ujqit…, kur hynim në aventura, shkatërronim qytete, bënim kuaj sherri. Po, po, KUAJ SHERRI. Pastaj, në çdo udhëkryq vumë nga një kalë druri me rrota të shtrembëruara. Në barkun e tyre e shtymë kutinë e Pandorës, Dhe, si kurreshtarë që jemi, secili e vrau Laokoontin e vet dhe e hapi barkun e kalit. Shpërtheu sherri si mjegull. E, ujku do mjegull, apo mjegulla ujk? Krejt njësoj. Dhe mjer për qengjat, mjer për grigjat! Mjer për grigjat! LAOKOONTI nuk na duhet! Sepse ai është shpëtimtari ynë! Laokoonti s’i do dhuratat e danajve, sepse ato mbajnë erë zjarri, erë vdekjeje ballkanike. Lart në OLIMPIN modern, Zeusi ka dalë në pension. Tash, perëndesha EVROPË me mençurinë e saj hyjnore, do punë. Jo gjak! NON VIOLENCE!

15 dhjetor 1993

Në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, (5 dhjetor 1993), në artikullin e përbashkët me “Veçerin” e Shkupit – “Çka u porosisin shqiptarëve maqedonasit?” (f. 6), në pikën e pestë lexojmë: “Shqiptarët thonë se janë autoktonë. Këtë do të mund ta vërtetojnë vetëm nëse gjejnë kishë katolike në Maqedoninë Perëndimore, sepse, para ardhjes së turqve, ata ishin katolikë”. Është detyrë e shkencës sonë që t’i thuhet me argumente palës që mendon kështu se, edhe sot e gjithë ditën, në krahinën e quajtur Reka e Epërme jetojnë shqiptarë ortodoksë. Ata, edhe përkundër shtypjes së hatashme pas 1912-tës, mbeten shqiptarë të kulluar. Pra, zotërinj, në Maqedoninë Perëndimore një pjesë e mirë e shqiptarëve ishin ortodoksë edhe para ardhjes së turqëve dhe nga kjo fe u kthyen në fenë islame. Sot shqiptarët ortodoksë nuk kanë asnjë të drejtë elementare: në shkolla u imponohet gjuha maqedonase, edhe pse gjuhë amtare e kanë shqipen; edhe mesha në kishë mbahet në gjuhën që ata s’e kanë amtare. Pra, ndaj tyre ushtrohet gjenocid që ka ndikuar tek një pjesë e tyre ta humbin vetëdijen kombëtare. Por, nga shpirti i tyre nuk mund të shkulet Josif Bageri, një nga figurat më të ndritura të Rilindjes shqiptare, që është nga Nistrova që gjendet në Maqedoninë Perëndimore. Sa për kishat katolike është punë shumë e lehtë.

15 janar 1994

Secili komb ka një vijë kufiri nga i cili nuk guxon të dalësh. Kjo vijë e përcakton, si të themi, të dëshiruarën, të mirën, të pëlqyeshmen; kurse matanë këtij kufiri, të keqen, PËRDHOSJEN… Për mos t’u kaluar ky kufi, kombet ndërtojnë MEKANIZMA MBROJTËS, institucione të tëra të vlerave KOMBËTARE. Këto mekanizma përherë tentojnë të kenë shenjën e TOLERANCËS, kur është fjala, p.sh.: për vepra arti, për gjurmime shkencore, teknologjike, që çojnë kah përsosja. Në kohën e sotme përmendoret më të larta i meritojnë ISMAIL KADARE, nga fusha e artit, dhe RIFAT GJOTA, nga fusha e shkencës. Këto janë kulmet që aktualisht na bëjnë nderë… Këta njerëz na bëjnë të njihemi në botë si një komb që mund të japë vlera. Por, për njerëzit që e tejkalojnë vijën e kufirit kombet e kanë një fjalë që askush nuk e do: TRADHËTINË, dhe dënimin për tradhëti. Këtë e ka edhe kombi ynë. Mirëpo, sot, kur rrënohet nocioni tradhëti që u ndërtua në kohën e socializmit e që mbante edhe ngjyrën e asaj ideologjie, sikur nocioni tradhëti e humbi domethënien. Sot mund të bësh çdo gjë e mos të frikohesh se ke bërë tradhëti. Është detyrë urgjente e intelektualëve tanë, të ulen dhe ta përcaktojnë edhe një herë VIJËN QË E NDANË TRADHËTINË dhe të PËLQYESHMEN. Kjo duhet të bëhet me një PROGRAM KOMBËTAR, që do të vlente gjer në amshim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.