Në Kërçovë hynë në fuqi masat mbrojtëse për shkak të nivelit alarmant të ndotjes

Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, në Kërçovë hynë në fuqi masat dhe rekomandimet me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, njoftoi Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, transmeton Portalb.mk.

Masat përfshijnë lirim nga puna për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, si dhe përgjysmimin e orarit të punës për ato që punojnë jashtë.

Në Kërçovë është tejkaluar pragu i alarmit për grimcat e suspenduara me madhësi deri në 10 mikrometra, përkatësisht është tejkaluar vlera prej 150 mg për metër kub gjatë dy ditëve radhazi. Vlera prej 155.44 është regjistruar më 23 janar, ndërsa vlera 150.99 më 24 janar në qytetin perëndimor të Maqedonisë.

Krahas masave të përmendura rekomandohet edhe mos mbajtja e aktiviteteve sportive dhe ngjarjeve të tjera kulturore në natyrë, krijimi i kushteve për rritjen e aktivitetit të shërbimeve të urgjencës mjekësore, për punonjësit në institucionet publike reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare deri në 50 për qind, si dhe ofrimin e strehimoreve për të pastrehët.

Ndryshe në Maqedoni ka 3.828 vdekje në vit që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë totale në vend, sipas raportit të fundit të titulluar “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet shëndetësore”, e cila është përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP).