Mavrova ende pret rishpalljen dhe mbrojtjen, ndërsa projekti për hidrocentralin e vogël vazhdon

Parku Kombëtar “Mavrovë” vazhdon të funksionojë pa mbrojtje juridike, pasi procesi për rishpalljen e tij ka kohë që është bllokuar. Nga Qendra për Hulumtim dhe Informim për Mjedisin “Eko-svest” paralajmërojnë se Mavrova nuk ka as Plan Menaxhimi, me të cilin do të përcaktoheshin aktivitetet brenda parkut, dhe ndodhet në një vakum juridik, pasi funksionon mbi bazën e rregullave të vitit 1949. Si pasojë e kësaj situate, tashmë është shfaqur edhe rreziku i prerjes së pyjeve për ndërtimin e hidrocentralit të vogël “Ribniçka”, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Procedurat për ndërprerjen e koncesioneve për hidrocentralet e vogla të planifikuara në zonën e mbrojtjes së rreptë, “Zhirovniçka” 5 dhe 6, të cilat nisën para disa vitesh, nuk e përfshinë edhe “Ribniçka”, ndonëse edhe ajo ishte planifikuar brenda zonës së mbrojtur të parkut.

Për këtë hidrocentral, pavarësisht rekomandimeve të Konventës së Bernës dhe thirrjeve të ekologëve e publikut që të mos ndërtohet, Ministria e Mjedisit ka negociuar për ndryshimin e lokacionit dhe zhvendosjen e tij nga zona e mbrojtjes së rreptë në zonën e përdorimit të qëndrueshëm. Megjithatë, në të dyja rastet hidrocentrali mbetet brenda territorit të parkut.

Problemi është se projekti për hidrocentralin e vogël po shtyhet përpara edhe pse ligji për rishpalljen e parkut nuk është miratuar, që do të thotë se nuk janë përcaktuar as kufijtë e zonave të mbrojtjes.

Nga “Eko-svest” thonë se institucioni që duhet ta mbrojë natyrën është bllokuar në një vakum juridik, si rezultat i mosmiratimit të ligjit të ri për shpalljen e Mavrovës park kombëtar. Sipas tyre, kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëllimet e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, mundëson veprimtari jotransparente dhe vë në pikëpyetje ligjshmërinë e aktiviteteve në park.

Nga organizata i bëjnë thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeverisë që të mos e injorojnë më këtë problem, pasi rishpallja e parkut kombëtar është obligim ligjor i tyre.

Ata theksojnë se Ligji për Mbrojtjen e Natyrës është i qartë kur parashikon që të gjitha aktivitetet dhe ndërhyrjet në park, veçanërisht prerja e pyjeve, të zhvillohen vetëm nëse janë paraparë me Planin e Menaxhimit dhe Programin për Ekosistemet Pyjore, në zona të përcaktuara qartë dhe me kufizime për sipërfaqen dhe intensitetin.

“Ditëve të fundit në park po përgatitet një prerje e re e pyjeve për nevojat e ndërtimit të hidrocentralit të vogël në lumin Ribniçka. Ky projekt është kritikuar fuqishëm nga ekspertët ndërkombëtarë dhe Konventa e Bernës, organizatat qytetare maqedonase, si dhe banorët lokalë. Ky projekt jo vetëm që nuk është në funksion të mbrojtjes së vlerave natyrore të parkut, por është drejtpërdrejt i dëmshëm për menaxhimin e kësaj zone të mbrojtur. Nevojitet rishpallja urgjente e parkut, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund këtij vakumi juridik, për të ndërprerë aktivitetet e paligjshme dhe për të vendosur mbrojtje të vërtetë të pasurisë natyrore”, thotë Ana Çolloviq Lleshoska, drejtoreshë ekzekutive e “Eko-svest”.

Ajo thekson se aktivitetet aktuale në Parkun Kombëtar “Mavrovë”, përfshirë edhe prerjen e pyjeve, po zhvillohen pa dokumentet e nevojshme strategjike, gjë që sipas saj është e paligjshme. Për më tepër, në ueb-faqen e parkut nuk janë publikuar aktet themelore mbi bazën e të cilave funksionon parku, si statuti dhe programet e punës, çka sipas saj tregon për mungesë të qartë transparence.

Nga ana tjetër, drejtori i Parkut Kombëtar “Mavrovë”, Haris Ibraimi, thotë se deri tani nuk është prerë dhe as shënuar asnjë pemë, por konfirmon se nga investitori i “Ribniçka” kanë marrë kërkesë për leje për prerjen e pyjeve për pastrimin e trase-së drejt lokacionit.

Ibraimi thotë se parku, për të miratuar prerjen, duhet të kërkojë dhe të marrë pëlqim nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, por se një kërkesë e tillë ende nuk është dërguar.

“Nuk ka kurrfarë aktivitetesh në terren që lidhen me prerjen e pyjeve për shkak të hidrocentralit të vogël. Kërkesë nga investitori ka, por procedura mund të vazhdojë vetëm nëse Ministria jep pëlqim. Parku do t’i shënojë pemët, ndërsa investitori do ta kryejë prerjen”, thotë Ibraimi.

Ai thekson se që para tre vitesh investitori ka paguar rreth shtatë milionë denarë në llogarinë e parkut si kompensim për prerjen që duhet të bëhet për pastrimin e terrenit.

Ibraimi gjithashtu thekson se administrata e parkut në maj të vitit të kaluar ka dhënë mendim negativ për një pjesë të trasesë së njërit prej dy tubacioneve të hidrocentralit të vogël, i cili i është dërguar Ministrisë së Mjedisit.

Sipas tij, nga ministria është kërkuar edhe përgatitja e një studimi socio-ekonomik, së bashku me një strategji për zhvillimin turistik, në mënyrë që të vazhdojë procesi i rishpalljes së parkut, por deri tani nuk ka marrë përgjigje për këtë kërkesë.

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, në mbledhjen e fundit në dhjetor të vitit të kaluar, e shqyrtoi edhe një herë rastin e Parkut Kombëtar “Mavrovë” dhe konstatoi se ndërtimi i hidrocentraleve në territorin e tij vazhdon të përbëjë kërcënim.

Komiteti konstatoi gjithashtu se nuk ka pasur përparim në zbatimin e rekomandimeve që i janë dhënë vendit gjatë viteve të fundit, që kur rasti i Mavrovës u hap në vitin 2014.

Sipas Komitetit, ende nuk janë miratuar ndryshimet në Ligjin për Ujërat, nuk ka ligj të ri për natyrën, Parku Kombëtar “Mavrovë” ende nuk është rishpallur dhe nuk janë anuluar të gjitha koncesionet për hidrocentralet.

Rishpallja e Mavrovës, bazuar në Ligjin për Natyrën të miratuar në vitin 2004, ka ngecur prej vitesh. Një studim për vlerësimin e zonës së mbrojtur u përgatit edhe në vitin 2012, por procesi i rishpalljes u stopua për shkak të reagimeve publike në lidhje me ndërtimin e planifikuar të objekteve energjetike në zonat e mbrojtura.

Procesi vazhdoi në vitin 2023 kur Studimi u plotësua, për çka u kryen edhe hulumtime shkencore. Ata konfirmuan praninë e 14 individëve të rrëqebullit të Ballkanit, 130 arinjve, një popullate të qëndrueshme ujqërish, si dhe një nga popullatat më të mëdha të fluturës së bakrit, një specie e rrezikuar që është në listat e kuqe nën mbrojtje të rreptë. Parku kombëtar ka popullatën më të madhe të dhive të egra dhe një popullatë të qëndrueshme të drerëve të egër, më të rëndësishmit për dietën e rrëqebullit të rrezikuar. Sipas studimit në dekadën e fundit në parkun kombëtar është rritur sipërfaqja e pyjeve nga 30.600 në 36.200 hektarë, si dhe sasia e rezervave të drurit. Në të ndodhet edhe numri më i madh natyror i gështenjës së egër, me një numër të madh pemësh shekullore.

Në qershor 2025, mbi 15 organizata dhe iniciativa të shoqërisë civile i paraqitën kërkesë zyrtare Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar veprime urgjente për të rishpallur dhe mbrojtur Parkun Nacional të Mavrovës në përputhje me dispozitat ligjore.