Shaqiri dhe Ageler nënshkruan vazhdimin e programit të shkëmbimit akademik Fullbrajt

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, nënshkruan sot  memorandum për vazhdimin e zbatimit të programit të shkëmbimit akademik Fullbrajt, transmeton Portalb.mk.

“Të dyja palët e shohim përfitimin e Programit Fullbrajt. Shkëmbimi i njohurive dhe përvojave është  i mirëseardhur gjithmonë edhe për SHBA-në, si vend udhëheqës në botë në shumë fusha dhe sipas shumë parametrave, e në veçanti për Maqedoninë e Veriut si vend në zhvillim, i cili vazhdimisht përpiqet të ndjekë trendet dhe standardet globale arsimore dhe shkencore”, deklaroi ministri Shaqiri.

Interesi për  qëndrim studimor ose hulumtues në SHBA është gjithmonë  i madh, sepse çdo vit ka rreth 40 universitete amerikane të cilat rangohen ndër 100 më të mirët në botë. Këtë vit ka mundësi për numër më të madh pjesëmarrësish në krahasim me vitet e kaluara, duke marrë parasysh se pjesëmarrja financiare në program është rritur.

“Memorandumi për mirëkuptim që Stejt Departamenti i Shteteve të   Bashkuara dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës po e nënshkruajnë sot, në bazë është për dy gjëra: arsimim dhe mirëkuptim. Duke rritur kontributin e saj në programin Fullbrajt nga 150,000 dollarë në 260,000 dollarë, Ministria invesnton në persona dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, theksoi ambasadorja Ageler, duke shtuar se që nga viti 1991, më shumë se 350 qytetarë e  kanë shfrytëzuar mundësinë për të studiuar në Shtetet e Bashkuara përmes programeve Fullbrajt, e më pas u kthyen në vendin e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e  ekonomisë më të shëndetshme dhe  standard më të mirë jetese.

Duke theksuar se alumni i programit Fullbrajt sot janë aktivë në qeveri, akademi, shkencë, financa dhe pothuajse në çdo sektor të shoqërisë, ambasadorja Ageler tha se më shumë se 270 amerikanë kanë vazhduar aktivitetet e tyre akademike këtu dhe janë kthyer në Shtetet e Bashkuara me  zhvillim të rikrijuar për rolin dhe vlerën e Maqedonisë së Veriut në Evropë dhe rëndësinë e marrëdhënieve tona bilaterale.

Ministri Shaqiri potencoi se investimi në arsim dhe shkencë nuk kanë alternativë tjetër, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një nga mbështetësit më të mëdhenj në përpjekjet të vendit për t’u integruar në botën e zhvilluar.