Publiku është përfshirë në përcaktimin e së ardhmes së ujërave të pellgut të lumit Vardar

Kanë filluar konsultimet publike për përgatitjen e Planit të parë për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar. Gjatë dy javëve të fundit janë mbajtur takime konsultative në Shkup, Tetovë, Shtip dhe Manastir, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të komunave, ndërmarrjeve publike, organizatave qytetare dhe kompanive private. Qëllimi i këtij procesi, të cilin e udhëheq Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, është që të gjitha palët e prekura të përfshihen në krijimin e politikave për menaxhimin dhe shfrytëzimin e burimit më të rëndësishëm ujor në vend, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi ynë i përbashkët është që ky Plan për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar të pasqyrojë nevojat reale të të gjitha palëve të prekura, por në të njëjtën kohë të sigurojë mbrojtje të qëndrueshme dhe efikase të burimeve ujore në vend. Pikërisht për këtë arsye, i gjithë procesi përfshin një proces shkencor, përkatësisht monitorimin e cilësisë dhe sasisë së ujërave, të cilin e zbaton DPHM, por edhe një proces konsultativ përmes të cilit do të dëgjohet zëri i komunitetit shkencor, ekologëve, bujqve, biznesmenëve dhe komuniteteve lokale”, thonë nga Sektori i Ujërave në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, i cili e udhëheq këtë proces.

“Plani për menaxhimin e pellgut të Vardarit duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i nënshtrohet konsultimeve me të gjitha palët e prekura, në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj. Për më tepër, është me rëndësi të madhe të krijohet Këshilli për menaxhimin e zonës së pellgut lumor të Vardarit, si një trup ndërinstitucional që do të ndjekë zbatimin e Planit. Ky plan është bazë për parandalimin e ndotjes dhe degradimit të mëtejshëm të lumit Vardar, për të cilin nevojitet mbrojtje jo vetëm si burim ujor, por edhe si ekosistem”, thotë Marko Guçeski nga organizata qytetare “Eko-svest”, i cili mori pjesë në takimin konsultativ në Shkup.

Procesi zhvillohet me mbështetjen e Programit zviceran për menaxhimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave, i cili mundësoi edhe përgatitjen e Raportit të përkohshëm për çështjet e rëndësishme që lidhen me menaxhimin e ujërave nga pellgu i Vardarit. Ky dokument identifikon faktorët kryesorë që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ujërave në pellgun e Vardarit, por përmban edhe masa për përmirësimin e gjendjes.

“Ky Plan për menaxhimin e ujërave është jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke pasur parasysh se pellgu i Vardarit përfshin mbi 80 përqind të të gjitha trupave ujorë në vend. Programi për ujërat i mbështet institucionet kombëtare që ta zbatojnë procesin në përputhje me Direktivën Kornizë për Ujërat të Bashkimit Evropian dhe të përgatitet një dokument gjithëpërfshirës që do të mundësojë shfrytëzim racional, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore”, thotë Nikolla Zdraveski nga Programi për menaxhimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave.

Procesi i konsultimeve publike do të zgjasë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe në të mund të përfshihen të gjithë qytetarët përmes plotësimit të një pyetësori online për rreziqet kryesore dhe rekomandimet për tejkalimin e tyre. Më pas do të fillojë përgatitja e Planit të parë për menaxhimin e pellgut të Vardarit, i cili duhet të miratohet deri në fund të vitit 2027.