Të huajt gjuajnë dhe pijnë gjak kafshësh në Mavrovë, ekologjistët kërkojnë që parku kombëtar të mbrohet urgjentisht
Parku Kombëtar Mavrovë prej më shumë se një dekade ndodhet në një pasiguri juridike të papranueshme. Pavarësisht detyrimeve të qarta ligjore, procesi për shpalljen e sërishme të Parkut Kombëtar Mavrovë ende nuk ka përfunduar, për shkak të së cilës parku funksionon pa mekanizmat kyç për menaxhim bashkëkohor dhe efikas të zonës së mbrojtur – planin e detyrueshëm për menaxhim dhe planin e ri hapësinor, thonë nga Eko-svest, transmeton Portalb.mk.
Shqetësim shtesë, shtojnë ata, paraqet fakti se, edhe pse ekipet profesionale e kanë përfunduar Studimin e valorizimit, të hartuar me mjete publike dhe donatore, drejtoria e NP Parku Kombëtar Mavrovë nuk pajtohet me gjetjet shkencore dhe zonimin e propozuar.
Në vend që institucionet të sigurojnë përfundimin në kohë të procesit të rishpalljes dhe vendosjen e një sistemi adekuat të mbrojtjes, në Mavrovë vazhdojnë aktivitetet që mund të kenë ndikim negativ mbi vlerat natyrore të parkut, ndër të cilat prerjet komerciale të pyjeve, gjuetia komerciale dhe mbështetja e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.
“Që nga viti 2010, kur duhej të përfundonte procesi i përgatitjes së ligjit dhe akteve nënligjore, e deri më sot nuk është miratuar ligj për rishpalljen e Mavrovës si park kombëtar. Në vitin 2015 kishte një iniciativë e cila, pa shpjegim, u tërhoq nga Qeveria. Është e domosdoshme të ekzistojë Ligji për parkun kombëtar, sepse prej tij duhet të dalin plani dhe programi për menaxhimin e parkut kombëtar. Këta mekanizma duhet të vendosen në mënyrë vertikale, ku Ministria e Mjedisit Jetësor është organi më i lartë për mbrojtjen e natyrës në shtet”, deklaroi Marko Guçeski, jurist në Eko-svest.
Ky proces ndiqet edhe në nivel ndërkombëtar. Në kuadër të Konventës së Bernës, çështja e mbrojtjes së Mavrovës ndiqet që nga viti 2013. Në vitin 2025, autoriteteve maqedonase iu drejtua një rekomandim konkret për ndalimin e zhvillimit të hidrocentraleve në Mavrovë dhe për rishpalljen urgjente të parkut. Për fat të keq, që nga viti i kaluar nuk ka komunikim ndërmjet Sekretariatit të Konventës së Bernës dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor.
“Ky gjendje lë hapësirë për aktivitete që nuk janë në përputhje me mbrojtjen e natyrës, siç është ndërtimi i hidrocentraleve, por edhe aktivitete të tjera. 21 organizata e mbështetën letrën e dërguar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor, me të cilën kërkojmë që Ministria urgjentisht dhe pa vonesë ta marrë përsipër procesin administrativ të shpalljes së parkut, ta vendosë Ligjin për rishpalljen e Mavrovës në debat publik, në mënyrë që të mund të miratohet në Kuvend dhe Mavrova të vazhdojë të funksionojë në përputhje me ligjet. Gjithashtu, kërkojmë që Ministria të shpallë moratorium për aktivitetet që nuk janë në funksion të mbrojtjes së natyrës. Mavrova është parku ynë më i vjetër dhe një nga më të vlefshmit në nivel evropian, një park që meriton të marrë mbrojtje në përputhje me legjislacionin tonë dhe detyrimet ndërkombëtare”, theksoi Ana Çoloviq Leshoska, drejtoreshë ekzekutive e Eko-svest.
Kërkesa ndaj institucioneve kompetente
Me qëllim që t’i jepet fund pasigurisë juridike shumëvjeçare dhe të sigurohet mbrojtja adekuate e vlerave natyrore të Mavrovës, Eko-svest kërkon:
- Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor urgjentisht ta marrë përsipër procesin administrativ për rishpalljen e Parkut Kombëtar Mavrovë;
- propozim-ligji për rishpalljen e Mavrovës të vendoset në debat publik dhe të vazhdohet procedura për miratimin e tij në Kuvend;
- të sigurohet harmonizimi i menaxhimit të parkut me gjetjet shkencore nga Studimi i valorizimit dhe zonimin e propozuar;
- të shpallet moratorium për aktivitetet dhe projektet që nuk janë në funksion të mbrojtjes së natyrës, derisa të vendoset një kornizë e plotë dhe funksionale ligjore;
- të sigurohet përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare të marra nga shteti, përfshirë edhe rekomandimet në kuadër të Konventës së Bernës.
“Shtyrja shumëvjeçare e procesit të rishpalljes nuk duhet të vazhdojë. Nevojitet përgjegjësi e qartë institucionale dhe veprim urgjent që Mavrova të marrë mbrojtje adekuate, funksionale dhe të bazuar në ligj.
Mavrova nuk duhet të mbetet në një vakum juridik. Mbrojtja e vlerave të saj natyrore duhet të jetë prioritet dhe detyrim i institucioneve kompetente”, thonë nga Eko-svest.