Në hyrje të Gostivarit u sekuestrua drogë me vlerë prej 120 mijë euro (Galeri)

Sot në hyrje të Gostivarit është ndaluar transporti ndërkombëtar i 32 kilogramëve marijuanë, me vlerë prej rreth 120.000 euro, që është tentuar të transportohet nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Operacioni është realizuar me bashkëpunim të Departamentit të Policisë Kriminale – Seksioni për Trafikim të Paligjshëm me Drogë dhe Armë, Njësia Speciale Antiterroriste Tigar, Departamenti për Luftimin e Krimeve të Rënda dhe të Organizuara, Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Ohër, Departamenti i Punëve të Brendshme (DPB) Strugë, SPB Tetovë dhe DPB Gostivar, të koordinuara nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion Shkup.

Në vendngjarje janë ndaluar dy vetura të markës “Mercedes” me targa të Shkupit. E para, në të cilën ndodheshin 35 vjeçari me inicialet K.L. nga Shkupi, 46 vjeçari V.B.(46) nga Shkupi dhe shtetasi i Republikës së Shqipërisë, 42 vjeçari me inicialet G.J. Në veturën e dytë, që e menaxhonte M.A., 44 vjeçar nga fshati Gërçec, është gjetur droga që po transportohej.

Ndonëse policia u ka dhënë shenjë të ndalojnë, vetura e dytë ka rritur shpejtësinë dhe ka tentuar të ik, por shumë shpejt është ndaluar dhe në bagazh janë gjetur tre thasë me rreth 32 kilogramë marijuanë.

Grupi kriminal vepron nga shtatori i vitit 2023, i organizuar nga shtetasi shqiptar, i cili kërkohej me urdhër në Republikën e Shqipërisë dhe vende të tjera të Bashkimit Europian edhe për shitje të paligjshme të lëndëve narkotike.

Ai që nga shtatori e deri më tani ka organizuar transportin e drogës nga Shqipëria për në Maqedoni të Veriut, si dhe ka organizuar rrjetin e rishitësve në Shkup.

Personat janë privuar nga liria, ndërsa gjatë ditës, me urdhër të gjykatës, janë kryer kontrolle në pesë lokacione në Shkup, gjatë të cilave janë gjetur marijuanë dhe dëshmi të tjera materiale për përfshirjen e tyre në kryerjen e veprës penale. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave do të ngrihet kallëzim penal përkatës.

Rikujtojmë këtë vit të dhënat nga buletini i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut tregojnë se ka shënuar rritje sasia e konfiskuar e marihuanës, kokainës dhe llojeve të tjera të drogës gjatë aksioneve policore në terren. Lajmet për sekuestrim të marijuanës dhe lëndëve tjera narkotike janë gjithashtu janë shpeshtuar, kurse Bashkimi Evropian njoftoi për një model të ri biznesi të rrjeteve kriminale.