Me ditarin e ri elektronik prindërit për çdo ditë do të marrin informacione për praninë e fëmijëve në orë, paralajmëroi Shaqiri

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri deklaroi sot se në fazën e fundit është përgatitja e një ditari të ri elektronik për nxënësit dhe se po bëhen përpjekje që ai të integrohet dhe lidhet ashtu që prindërit për çdo ditë do të dinin për mungesën e fëmijëve të tyre në shkollë, raporton MIA.

“Krijimi i ditarit të ri elektronik, i cili duhet të fillojë të funksionojë pas pilotimit që kemi pasur muajt e mëparshëm në Ministrinë e Arsimit, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, është në fazën përfundimtare. Me prezantimin e ditarit të ri elektronik po bëhet çdo përpjekje për integrimin dhe lidhjen e tij për marrjen e informacionit menjëherë pas futjes së të dhënave, pra prindërit mund të marrin të dhëna të përditësuara për nxënësit që mungojnë çdo ditë”, theksoi ai në konferencën finale të “Pilot-projektit për Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm për Fëmijët e Zhdukur” ku u prezantua uebfaqja e re për paralajmërim të hershëm për fëmijët e zhdukur.

Shaqiri theksoi se gjatë periudhës së kaluar kishin vërejtje në lidhje me komunikimet në viber mes arsimtarëve dhe prindërve, gjegjësisht se grupet përdoren për ndarjen e detyrave dhe materialeve për punë.

“Vërejtja ishte të mos përdoren grupe për ndarje të tillë. Si shembull duhet marrë komunikimi që ka ndodhur në shkollën e Vanjës, sepse nëse ai komunikim nuk do të kishte qenë i tillë, do të kishim vërejtje për funksionimin, pra marrjen e informacionit nga personat e përfshirë në institucionet arsimore tek prindërit”, tha ministri dhe rekomandoi që të gjithë mësuesit, jo vetëm kujdestarët e klasave, të mbajnë evidencë për mungesën e nxënësve në mësime dhe të njoftojnë prindërit.

Ndryshe, gjatë gjysmës së dytë të këtij viti shkollor ose më së voni në fillim të vitit të ardhshëm do të funksionojë ditari i ri elektronik, të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e punon me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE).

Tashmë janë zbatuar testet fillestare të sistemit të ri, në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës me Byronë e Zhvillimit të Arsimit, Inspektoratin Shtetëror Arsimor, Qendrën Shtetërore të Provimeve dhe me mësimdhënësit e shkollave.

Paralelisht po zbatohen  edhe trajnimet për aplikimin e ditarit të ri elektronik,  ku të njejtit  janë vizituar deri më tani nga 40 administratorë të IT të shkollave, ku së pari do të pilotohet zgjidhja softuerike, si faza e dytë e procesit të testimit gjatë këtij viti shkollor. Trajnimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, duke përfshirë të gjithë administratorët e IT të shkollave.

Sistemi i ri do të aplikohet zyrtarisht në të gjitha shkollat, pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet e parapara në procesin e testimit dhe pas migrimit të të dhënave nga sistemi ekzistues në atë të ri. Këto pritshmëri, priten të ndodhin gjatë gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor aktual ose në fillim të vitit të ardhshëm.