Ndryshimet kushtetuese ndoshta janë të dhimbshme, por të domosdoshme, porositi Roth nga Kuvendi i RMV-së

Ndryshimet kushtetuese ndoshta janë të dhimbshme, por në fund ato janë të domosdoshme dhe për atë dua që t’i inkurajoj kolegët e mi në Kuvend dhe Qeveri që ta bëjnë më të mirën dhe ta kthejnë Maqedoninë e veriut në rrugën e Bashkimit Evropian. Kjo është porosia që sot në Shkup e dërgoi Mihael Roth – udhëheqës aktual me Komitetin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Gjermanisë (Bundestagut) dhe ish ministër shtetëror i Gjermanisë për Evropën, njofton Portalb.mk.

Roth është në vizitë në RMV si pjesë e përpjekjeve diplomatike për vazhdimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, në kontekst të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese si kusht për avancimin në këtë rrugë.

Deklaratën Roth e dha duke u përgjigjur në pyetje gazetareske përpara fillimit të konferencës “Avancimi i Procesit të Berlinit nëpërmjet diplomacisë parlamentare”, e cila sot është mbajtur në Kuvend.

“Saktë përpara një viti e vizitova Shkupin për herë të fundit. E dini se kam shumë miq këtu në Maqedoninë e Veriut dhe shumë vlerësoj atë që shumë njerëz në vend besojnë se ardhmëria e këtij vendi është në Evropën e bashkuar. Por, lufta u kthye në Evropë. Agresioni rus ndaj Ukrainës nuk është vetëm kërcënim për njerëzit në Evropën Lindore, por është kërcënim për të gjithë ne. Edhe unë dëshiroj të dërgoj porosi shumë të qartë: Po, ne jemi të okupuar me këtë luftë, por kjo nuk do të thotë se e kemi harruar rolin e rëndësishëm që vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut që e luajnë për ardhmërinë e Evropës. Për atë, dua që t’i inkurajoj kolegët e mi të vlefshëm këtu, në kuvend, gjithashtu edhe Qeverinë që ta bëjnë më të mirën për ta kthyer Maqedoninë mbrapa në rrugën [evropiane] e ajo nënkupton se ndryshimet kushtetuese ndoshta janë të dhimbshme për disa kolegë, por në fund ato janë të domosdoshme”, tha Roth.

Ai shtoi se nevojitet ambicie më e madhe në lidhje me bisedimet hyrëse. Duke folur në këtë kontekst, theksoi se Maqedonia e Veriut luan rol të rëndësishëm edhe si vend multietnik dhe multikulturor dhe për këtë mund të jetë shembull për vendet fqinje se problemet nuk zgjidhen me këmbim të territoreve ose pastrim etnik.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet. Kryetari i Kuvendit e ndërpreu seancën me informimin se nuk ka më të regjistruar për diskutim dhe vazhdimi, siç tha ai, do të caktohet në mënyrë shtesë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.