RMV, video-mbikëqyrja: Ekspertët sqarojnë problemet ligjore të instalimit dhe përdorimit të kamerave

Fondacioni “Metamorfozis” në bashkëpunim me Shoqatën “Konekt” sot në Shkup e organizoi diskutimin publik “Gjithçka që dëshironi të dini rreth video-mbikëqyrjes”. Në të mes tjerash u bisedua për atë se çfarë u lejohet dhe nuk u lejohet personave që duan të instalojnë kamera për mbikëqyrje. Gjithashtu, u hap edhe diskutim për mënyrën se si mund të bëhet identifikimi automatik i fytyrave gjatë video mbikëqyrjes me përdorimin e inteligjencës artificiale, shkruan Portalb.mk.

Mila Josifovska-Danilovska, nga Fondacioni “Metamorfozis” tha se qëllimi i ngjarjes është të sqarohen dilemat rreth asaj se sa përdorimi i sistemeve mbikëqyrëse mund të ndërhyjë në të drejtat e individëve dhe a duhet të ndërmerren masa që të sigurohemi se inçizimet do të përdoren vetëm për çështje sigurie.

Igor Kuzevski, ekspert për mbrojtjen e të dhënave personale, tha se shpesh njerëzit instalojnë dhe përdorin kamera pa qenë mirë të informuar për të drejtat e tyre dhe të personave që dëshirojnë t’i mbikëqyrin. Përpos kësaj, ai tha se këto vendime ata shpesh i marrin me ngut, instalojnë kamera për raste për të cilat ka zgjidhje shumë më të thjeshta dhe më të lehta.

“Themi ka një kamerë në oborrin e ndërtesës ku jetoni dhe ajo inçizon gjithçka, çdo zënkë, çdo përleshje, çdo të dehur, domethënë gjithçka. Përsëri, një i dehur do të sillet si një i dehur pavarësisht kamerës…Ose keni një sistem për detektimin e targave të veturës por që natën nuk mund ta identifikojë as markën e veturës…Duhet të mendoni para se të instaloni kamera për atë se a u duhen me të vërtetë kamerat apo problemi juaj mund të zgjidhet me mënyrë tjetër që është më pak invazive“, tha ai.

Për ato raste kur mbikëqyrja me kamera është zgjidhja më e mirë, Kuzevski tha se shumicën e problemeve që vinë pastaj, i sjell njeriu, jo sistemi i kamerave.

“Njeriu rri para ekranit dhe interesohet kush hyn, kush del, kush ka ardhur më vonë, kush ka dalë të pijë cigare. Thotë ‘ah, e kapa Igorin duke pirë cigare në punë,… do ta denoncoj’… Njerëzit që janë në mbikëqyrje pastaj nervozohen”, tha ai.

Kuzevski sqaroi se idealisht, sistemi me kamera mbikëqyrëse duhet të jetë automatik, domethënë jo të qëndrojë dikush para ekranit, por inçizimet bëhen dhe fshihen vetë kur vjetërsohen më shumë se 30 ditë. Askush nuk i sheh ato video përveçse kur paraqitet ndonjë rast, po edhe në këto situata, nuk merren inçizimet e tërë ditës, po vetëm i atyre 2-3 orëve kur dyshohet të ketë ndodhur rasti në fjalë.

Sipas Kuzevskit, nëse instalimi i kamerave bëhet në ndërtesë, mund të bëhet vetëm me miratimin e të paktën 70% të të gjithë banorëve të ndërtesës dhe vetëm hapësirat që janë në pronësi. Domethënë kamera nuk guxon të inçizojë rrugën para ndërtesës, e cila është pronë e shtetit, ose pjesë të pronave tjera, ose të ketë aq rezolucion të lartë sa të shihet brenda dritareve të dhomave të asaj ndërtese ose ndonjë vendbanimi tjetër.

Gjithashtu, edhe pse një person ka të drejtë të mbikëqyr pronat e tij private, duhet të ketë kujdes t’i informojë personat që janë në mbikëqyrje. Një grup njerëzish që vinë në shtëpinë tuaj për darkë duhet të vihen në dijeni se janë nën mbikëqyrje, një dado nuk mund të inçizohet fshehtazi, madje edhe një punëtor nuk mund të inçizohet jashtë hapësirave ku është informuar se ka kamera. Ka shumë raste që janë problematike para ligjit, kështu që ato që vendosin kamerë brenda objektit të tyre të vendbanimit duhet të konsultohen mirë me persona ligjorë.

Prezantuesi tjetër, Stojanço Tuxharski, ekspert i inteligjencës artificiale (IA), shpjegoi se teknologjia e identifikimit të fytyrave me IA duhet fillimisht të lidhet me një bazë të dhënash ku regjistrohen fotografi të individëve. Sistemi pastaj gjatë inçizimit heton fytyrën e një individi dhe e kontrollon në bazën e të dhënave se a është “dikush të njohur”, për të konfirmuar pastaj se kush është personi, a është identifikuar më parë, etj.

Tuxharski sqaroi si funksionon hetimi dhe identifikimi i fytyrës, duke thënë se “Algoritmet e grafikës kompjuterike zbulojnë një fytyrë si një imazh – tipar, dhe më pas i nxjerrin në pah veçori të veçanta, si lakesa e syve, hundës, gojës dhe distancat ndërmjet tyre. Ky proces rezulton në krijimin e një modeli, e cila do të mund të identifikojë një individ”.

Mirëpo, ai gjithashtu foli për dobësitë e një sistemi të këtillë, të cilat janë si pasojë e asaj se kjo teknologji është akoma në fazën e zhvillimit dhe mund të bëjë kohë pas kohe gabime.

“Para disa kohësh mundja unë ta hap telefonin e vëllait tim me fytyrën time, sot kjo shumë rrallë ndodh”, tha ai, i cili pas pyetjeve të të pranishmëve sqaroi se ndodh për shkak se sistemi është shumë i varur nga të dhënat – fotografitë themelore që regjistrohen në bazën e të dhënave, “Në SHBA ka një rast ku një sistem i trajnuar kryesisht me njerëz të racës së bardhë kishte problem të identifikojë dhe dallojë me sukses njerëzit e racave tjera. Kur sistemi i trajnuar me njerëz të një grupi testohet në njerëz të një grupi tjetër, shembull një race, nacionaliteti ose të një grupi të margjinalizuar, i duhet kohë derisa të adaptohet”.

Tuxharski shtoi se ndonëse shumë probleme të vjetra janë rregulluar, ka të tjera që dalin, po në përgjithësi ka zhvillim.

Gjatë bisedës me të pranishmit, Tuxharski sqaroi se një sistem me IA mund të trajnohet të identifikojë një person duke patur vetëm një fotografi të tij, por sa më e vjetër të jetë fotografia aq më problematik do të jetë procesi i identifikimit. Mirëpo, nëse në bazën e të dhënave regjistrohen disa fotografi aktuale bashkë me disa të tjera më të vjetra, procesi i identifikimit bëhet shumë më i saktë.

Diskutim publik “Gjithçka që dëshironi të dini rreth video-mbikëqyrjes”, u organizua në kuadër të projektit  “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i një ekosistemi digjital gjithëpërfshirës”, të Fondacionit “Metamorfozis”.