Nata e katërt e Festivalit të Teatrit në Tetovë vuri në skenë shfaqjen “Djali” nga Teatri i Gjilanit

Nata e katërt e Festivalit të Teatrit në Tetovë solli në skenë shfaqjen “Djali” shkruar nga autori i njohur Florian Zeller, nën regjinë e Erson Zymberit. Një histori e ndjerë për marrëdhëniet prind-fëmijë, për dhimbjet e heshtura dhe dilemat që shpesh i mbajmë brenda nesh. Një udhëtim i fuqishëm emocional që bën të reflekton mbi dashurinë, fajin dhe përgjegjësinë, shkruan Portalb.mk.

“Djali” është historia e një familjeje në krizë. Është një thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne”.

Aktorët sollën me ndjenjë të fortë dhe përkushtim një histori që e preku publikun në mënyrë të veçantë, duke dëshmuar se teatri mbetet hapësira më e fuqishme për reflektim dhe empati. Loja e tyre e matur dhe skenografia minimaliste e bënë shfaqjen edhe më të ndjeshme, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje të gjata në fund të interpretimit.

Në rolet kryesore interpretuan aktorët: Kushtrim Qerimi, Yzeir Meha, Safete Mustafa Baftiu, Tringa Hasani dhe Florent Salihu.

Ndërkaq sonte në natën e pestë të festivalit do të vihet në skenë shfaqja “Njeriu që pa vdekjen me sy” nga Teatri i Gostivarit, autor Viktor Eftimiu, nën regji të Elmir Sejfullait.

Festivali i Teatrit në Tetovë vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit, që jo vetëm promovon artin skenik vendor dhe rajonal, por edhe krijon ura bashkëpunimi mes teatrove dhe artistëve nga hapësira të ndryshme.

Për ata që duan të ndihmojnë teatrin, bileta kushton 200 denarë.

Për ata që duan të ndjekin vetëm shfaqjet, pa ndihmuar teatrin, biletat janë falas.

Biletat i gjeni te biletaria e teatrit, çdo ditë nga ora 11:00 – 19:00.