Me këngë e valle shqiptare në Manastir u shënua 118-vjetori i Kongresit të Alfabetit

Me këngë e valle tradicionale shqiptare dhe në një atmosferë festive, në Manastir u shënua 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në Pallatin e Kulturës u mbajt koncerti “Mora udhë kah Manastiri”, i cili bëri bashkë në një skenë tri ansamble nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, shkruan Portalb.mk.

Në këtë aktivitet, të organizuar në kuadër të 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, morën pjesë edhe përfaqësues të lartë institucionalë nga të tri vendet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit. Sipas tij, dallimet nuk duhet të bëhen pengesë për bashkëpunimin dhe interesin e përbashkët

“Megjithëse kanë kaluar 118 vjet nga ajo kohë, pyetja e Kongresit të Manastirit mbetet e njëjtë: Si të vendosim bashkë kur nuk mendojmë bash njësoj? Shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë një diasporë që shtrihet nga Dallasi në Melburn. Ndahemi sipas partive, sipas krahinave, sipas brezave dhe sipas interesave. Këto dallime janë të natyrshme në çdo shoqëri të lirë. Mirëpo, rreziku nuk qëndron te dallimet, por te bindja se marrëveshja është dobësi dhe se kompromisi është një lloj tradhtie. Atdhetarët e 1908-tës lanë një mësim të thjeshtë për ne, që ne do të duhej ta kishim ndërmend sa herë që duam ta arrijmë një synim bashkë me të tjerët”, deklaroi Kurti.

Foto nga koncerti “Mora udhë kah Manastiri”. Foto: Portalb.mk
Foto nga koncerti “Mora udhë kah Manastiri”. Foto: Portalb.mk

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, theksoi se përtej prejardhjes. duhet të angazhohen me punë konkrete për mbështetjen e kulturës dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.

“Ime më është nga Struga dhe im atë është nga Dibra e Madhe, kështu që më keni plotësisht shqiptar nga trevat autoktone shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht nga jemi e vijmë, duhet të bëjmë punë konkrete dhe të ndihmojmë që ngjarje dhe aktivitete si ky të realizohen. Këtë duhet ta bëjmë në mënyrë praktike dhe me përulësi, përballë një detyrimi dhe përgjegjësie shumë të madhe që kemi të gjithë ne që përfaqësojmë institucionet”, tha Gonxhja.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u shpreh se Kongresi i Manastirit mbetet një nga dëshmitë më të rëndësishme të bashkimit të shqiptarëve.

“Kongresi i Manastirit jo vetëm që na dha alfabetin e njësuar, por mbetet një dëshmi e fuqisë së bashkimit rreth vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta. Le ta nderojmë historinë që na bashkon, ta ruajmë gjuhën që na identifikon, ta kultivojmë kulturën që na pasuron dhe ta përcjellim, brez pas brezi, dashurinë për kombin”, tha Gashi.

Foto nga koncerti “Mora udhë kah Manastiri”. Foto: Portalb.mk
Foto nga koncerti “Mora udhë kah Manastiri”. Foto: Portalb.mk

Ministri Agon Ferati, në fjalimin e tij theksoi se sot, më shumë se një shekull pas Kongresit, shqiptarët kanë përgjegjësi jo vetëm ta ruajnë trashëgiminë e rilindësve, por edhe ta zhvillojnë më tej atë.

“Në Manastir shqiptarët nuk u mblodhën për të caktuar se çfarë i ndante. Ata u mblodhën për të vendosur se çfarë do t’i bashkonte brezat që ende nuk ishin lindur. Ky është ndoshta mësimi më i madh që na lanë ata. Sot, më shumë se një shekull pas Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe është gjuhë e arsimit, e letërsisë, e shkencës, e institucioneve dhe e komunikimit modern. Por nuk mjafton të jemi krenarë për atë që rilindësit ndërtuan. Duhet të jemi të përgjegjshëm për atë që do të ndërtojmë ne”, tha Ferati.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare i Maqedonisë së Veriut, Ansambli Kombëtar “Shota” nga Kosova dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore nga Shqipëria sollën para publikut një program të pasur artistik, duke promovuar traditën, folklorin dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. 

Koncerti “Mora udhë kah Manastiri” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Muzeut të Alfabetit në Manastir dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.