Biblioteka e Kosovës shënon Festën e Librit: “Mes traditës dhe inovacionit”, pjesëmarrës edhe nga Maqedonia
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës, që këtë vit merr përmasa ndërkombëtare. Ky manifestim do të nisë të hënën e 6 tetorit për të vazhduar deri më 12 tetor. Për herë të parë, në këtë ngjarje marrin pjesë ekspertë nga bibliotekat kombëtare e mëdha të rajonit dhe Evropës, duke sjellë përvoja unike përmes prezantimeve mbi praktikat dhe zhvillimet më të reja në fushën e bibliotekarisë, shkruan Portalb.mk.
Java e Bibliotekës që njihet si festa e librit dhe kulturës, bëhet e ditur se këtë vit do të kremtohet me një koncept të ri, duke ndërkombëtarizuar programin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga bibliotekat kombëtare të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Turqisë e Austrisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se përgjatë ditëve sa do të zgjasë Java e Bibliotekës, do të ketë sesione shkencore nga studiues të njohur, panele diskutimi mbi çështje relevante me profesionistë të fushës, aktivitete kulturore e edukative për promovimin e leximit dhe vetëdijesimin mbi rolin e bibliotekave te të rinjtë, ekspozita, punëtori dhe vizita në shërbimet që ofron Biblioteka Kombëtare.
Pikat kryesore të programit:
- Lansimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës (48 biblioteka të lidhura në një sistem të unifikuar)
- Ekspozita “Trashëgimia orientale në Kosovë” me dorëshkrime dhe botime të rralla nga fondet e Bibliotekës Kombëtare
- Sesione shkencore mbi: digjitalizimin, ruajtjen e trashëgimisë, teknologjinë dhe identitetin kulturor, promovimin e leximit, përkthimin e letërsisë shqipe dhe qasjen ndërkombëtare, të drejtën e autorit dhe rolin e bibliotekave
- Diskutime mbi Inteligjencën Artificiale dhe bibliotekat, me ekspertë kombëtar
- Promovim i katalogut “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”
- Përkujtim për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes
- Program kulturor e letrar me lexime, promovime librash dhe diskutime me shkrimtarë e përkthyes
- Shfaqje filmash nga kinematografia kosovare çdo mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare
Nga faqja zyrtare e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë bërë të ditur se përgjatë këtyre ditëve do të ketë edhe shfaqje filmash në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës.