“Na bashkon vargu poetik”, shkrimtarët e Tetovës dhe Preshevës bashkohen përmes poezisë
Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova realizoi në Preshevë aktivitetin kulturor “Na bashkon vargu poetik”, duke bërë bashkë krijues, nxënës dhe dashamirë të letërsisë nga Tetova dhe Lugina e Preshevës. Aktiviteti kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe krijimin e urave të reja të komunikimit mes krijuesve shqiptarë, me theks të veçantë te të rinjtë, shkruan Portalb.mk.
Në kuadër të vizitës, përfaqësuesit e shoqatës zhvilluan një takim në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Preshevë, ku u pritën nga drejtori Nadër Sadiku. Nxënësit dhe anëtarët e shoqatës organizuan një orë letrare, gjatë së cilës interpretuan krijimet e tyre poetike dhe bashkëbiseduan për rëndësinë e letërsisë. Me këtë rast, shkrimtarët tetovarë dhuruan libra për bibliotekën e shkollës dhe ndanë mirënjohje për pjesëmarrësit.
Delegacioni i Shoqatës “Oeneum”, i udhëhequr nga kryetarja Sadije Aliti, u prit edhe niga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe afrimin e krijuesve shqiptarë nga qytete të ndryshme. Shoqata i ndau kryetares Sinani një mirënjohje dhe një dhuratë simbolike me motive nga Tetova.

Aktivitetet vazhduan në Bibliotekën e Qytetit “Mehmet Jusufi”, ku delegacioni u prit nga drejtoresha Albina Azizi. Gjatë vizitës u diskutua për veprimtarinë e bibliotekës, fondin e librave dhe sfidat e furnizimit me botime në gjuhën shqipe. Edhe këtu shkrimtarët tetovarë dhuruan libra nga krijimtaria e tyre.
Pjesë qendrore e vizitës ishte ora e përbashkët letrare mes Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova dhe Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” nga Lugina e Preshevës. Në një atmosferë miqësore, poetët prezantuan krijimet e tyre, shkëmbyen botime dhe diskutuan mundësitë për bashkëpunime të ardhshme.
Kryetarja e Shoqatës “Oeneum”, Sadije Aliti, theksoi se këto aktivitete synojnë afrimin e krijuesve në hapësirën shqiptare, ndërsa kryetari i Shoqatës “Feniks”, Avni Shaqiri, përshëndeti nismën dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit letrar mes dy qyteteve.
Vizita u përmbyll me njohjen nga afër të monumenteve kulturore dhe historike të Preshevës.
Aktiviteti “Na bashkon vargu poetik” u realizua në kuadër të projektit “Festivali poetik Krijuesit e rinj 2026-Zëri i së ardhmes”, me mbështetjen e Komunës së Tetovës.
