Mitizimi i Betejës së Kosovës: Nga baladat dhe këngët epike te melodia në Bruksel
Më 15 nëntor 2026, në një koncert të organizuar në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, u interpretua melodia e këngës nacionaliste serbe “Sa Kosova zora sviće” (Nga Kosova agon dita e re), e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, shkruan Spiranca.org.
Kënga, e cila përmban pretendime për territorin e Kosovës nga Serbia, u prezantua si pjesë e repertorit që përfaqësonte Kosovën. Interpretimi i melodies së këngës, nxiti reagime në Kosovë dhe jashtë saj.
Por cila është historia e kësaj kënge dhe si lidhet ajo me mitin serb për Kosovën?
Në një intervistë për gazetën serbe Večernje novosti, në vitin 2019, kompozitori i këngës Ljubomir Ljuba Manasijević, ka treguar se frymëzimin për krijimin e saj e kishte marrë gjatë pjesëmarrjes në ceremonitë e organizuara në Manastirin e Graçanicës, në vitin 1989, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës të vitit 1389.
Viti 1989 shënon një periudhë të rëndësishme në historinë politike të Kosovës. Në mars të atij viti, përmes ndryshimeve kushtetuese, Kosovës iu hoq autonomia që gëzonte sipas Kushtetutës jugosllave të vitit 1974. Vetëm tre muaj më vonë, më 28 qershor, Slobodan Millosheviqi mbajti fjalimin e tij në Gazimestan, ku e përdori përvjetorin e Betejës së Kosovës për të forcuar mesazhet e tij nacionaliste dhe politike. Në atë fjalim, ai përmendi edhe mundësinë e betejave të armatosura në të ardhmen.
Pikërisht në këtë kontekst politik dhe kulturor u krijua kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, e frymëzuar nga përkujtimi i një beteje që kishte ndodhur gjashtë shekuj më parë.
Por për të kuptuar se si një ngjarje mitike mund të vazhdojë të ndikojë në kulturën dhe politikën e një shoqërie, duhet të kuptojmë rolin e miteve.
Mitet janë tregime përmes të cilave shoqëritë ndërtojnë kuptimin për identitetin e tyre, njerëzit, institucionet dhe normat shoqërore. Më konkretisht, ato ndikojnë në përcaktimin e asaj që konsiderohet si diçka e vetëkuptueshme, apo siç njihet në anglisht, common sense.
Mitet bëhen veçanërisht të fuqishme kur tregimet që ndërton një shoqëri pranohen si të natyrshme dhe të padiskutueshme. Kur këto tregime përsëriten dhe përforcohen përmes institucioneve, kulturës, mediave dhe praktikave shoqërore, ato shndërrohen në narrativa dominuese.
Në këtë mënyrë, interpretimet e caktuara të historisë mund të fillojnë të perceptohen si të vërteta të padiskutueshme. Ato ndikojnë në atë që shoqëria e konsideron të drejtë, të pranueshme apo të natyrshme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin ndërmjet fakteve historike dhe interpretimeve të ndërtuara mbi to.
Beteja e Kosovës e vitit 1389 është një shembull se si një ngjarje mund të shndërrohet në mit dhe të ndikojë në identitetin, kulturën dhe politikën e një shoqërie për shekuj me radhë.
Gjatë betejës së vitit 1389, ushtritë pjesëmarrëse pësuan humbje të mëdha në njerëz dhe, në përfundim të betejës, fusha e betejës mbeti nën kontrollin e turqve. Si sulltan Murati, ashtu edhe princi Lazar u vranë, por faktikisht nuk dihet me siguri se si dhe nga kush u vranë.
Në fakt, pothuajse gjithçka tjetër rreth kësaj beteje mbetet e paqartë, përfshirë edhe çështjen nëse ajo duhet të konsiderohet fitore apo rezultat i barabartë. Nuk ekziston asnjë përshkrim i betejës nga pjesëmarrësit e saj, pasi shumica e tyre u vranë (Noel Malcolm, Kosovo: A Short History, 1998, f. 58).
Megjithatë, Lazari kujtohet nga serbët si hero. Përse?
Përgjatë shekujve, u përhap dhe u konsolidua një narrativë serbe që e riinterpretoi dhe e mitizoi Betejën e Kosovës, duke e paraqitur Lazarin si hero të krishterë.
Sipas mitit, Lazari mund ta kishte fituar betejën (dhe ndoshta ishte shumë pranë fitores). Megjithatë, në vend të një “fitoreje tokësore”, ai “zgjodhi të vdiste” si martir i krishterë, për të siguruar një vend në “mbretërinë qiellore”. Në këtë mënyrë, miti i paraqiti të gjithë serbët si një “popull të zgjedhur”, që kishte lidhur një besëlidhje me Zotin.
Përgjatë shekujve, “fitorja” shpirtërore e Betejës së Kosovës u transmetua përmes dhjetë cikleve të baladave popullore të krijuara ndërmjet viteve 1390 dhe 1419, literaturës së Kishës Ortodokse Serbe, si dhe poezisë epike gojore.
Historia e Betejës së Kosovës ilustron faktin se tregimet nuk lindin vetvetiu dhe se mitet nuk krijohen nga hiçi. Pra, si u krijua kjo narrativë dhe cilat media e përhapën këtë tregim?
Si për të gjitha storjet e tjera, edhe këtë për ta kuptuar, duhet të përgjigjemi në pyetjet, Çfarë ndodhi, kur dhe ku?
Nga baladat dhe këngët epike te pikturat, filmat dhe fjalimet politike, miti për Betejën e Kosovës është rrëfyer dhe përhapur përmes formave të ndryshme të mediave. Përgjatë shekujve, këto rrëfime janë interpretuar dhe kanë marrë kuptime të reja, duke ndikuar në mënyrën se si kjo ngjarje historike është kujtuar dhe kuptuar.
Më shumë se gjashtë shekuj më vonë, një nga shprehjet e këtij miti u dëgjua edhe si melodi në një aktivitet të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel.