MPJ: Deri tani asnjë shtetas i Maqedonisë së Veriut nuk ka paraqitur probleme gjatë udhëtimit me fletët e udhëtimit

Deri në këtë moment, asnjë nga shtetasit tanë nuk ka raportuar probleme gjatë udhëtimit me fletët e udhëtimit, e as me ndonjë dokument tjetër me Republika e Maqedonisë së Veriut, informuan nga Ministria e Punëve të Jashtme, njofton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Jashtme kohën e fundit ka riorganizuar tërësisht rrjetin e saj diplomatik-konsullor në botë, me qëllim t’i shërbejmë në mënyrë efikase shtetasve tanë që ndodhen jashtë vendit. Njëherit, ju njoftojmë se deri më tani asnjë nga shtetasit tanë nuk ka raportuar në Ministri, as në përfaqësitë diplomatike-konsullore, probleme gjatë udhëtimit me dokumente udhëtimi dhe as me ndonjë lloj dokumenti tjetër me Republika e Maqedonisë së Veriut”, kumtuan nga MPJ-ja.

Nga atje thkesojnë se përfaqësitë diplomatike-konsullore rregullisht furnizohen me sasi të reja të formularëve përkatës dhe se nuk ka ndërprerje në dhënien e fletëve të udhëtimit me të cilët shtetasit tanë munden që pa pengesë të tkehen në vend.

Nga MPJ-ja përkujtojnë edhe se me propozim të Ministrisë, Qeveria në seancën e sotme ka marrë vendim me të cilin përfaqësitë tona diplomatike-konsullore do të fillojnë me lëshimin e dokumenteve të udhëtimit pa pagesë konsullore.

“Gjithashtu, është lehtësuar dorëzimi i dokumentit të udhëtimit dhe do të mund të bëhet me postë të shpejtë”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Paraprakisht sot në konferencë-shtypi, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi paralajmëroi që prej nesër ndërrimi i librezës së trafikut dhe patentë shoferëve do të jetë falas për qytetarët deri në fund të vitit, gjithashtu edhe dhënia e fletëve të udhëtimit për ata të cilët jetojnë jashtë shtetit, ndërsa kanë nevojë të kthehen në vend që të nxjerrin dokument të ri udhëtimi. Në shtete ku nuk ka përfaqësi diplomatike-konsullore, dhënia e fletëve të udhëtimit do të bëhet onlajn dhe do të dërgohen përmes postës që qytetarët të mos bëjnë shpenzime shtesë.

Kujtojmë se Kuvendi dje miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Amendamentet ligjore u propozuan nga Nikolla Micevski, Martin Kostovski, Vjollca Ademi, Adnan Neziri, Dimitar Apasiev dhe Pavle Trajanov dhe janë përkrahur nga të gjithë deputetët e pranishëm në sallë.