Klingbeil pas vizitës në RMV dhe Kosovë: Kurti një “njeri me arsye të shëndoshë”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Lars Klingbeil vizitoi së fundi Ballkanin Perëndimor, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Në udhëtim ai u takua me liderët e partive socialdemokrate të pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Klingbeil pati edhe një bisedë të veçantë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton DW.

Portalit gjerman të lajmeve t-online.de, kryetari i SPD-së i tha për takimin me Kurtin se “nuk ishte bisedë e lehtë”.  “Ai është njeri me arsye të shëndoshë”, e përshkroi më tej Klingbeil kryeministrin e Kosovës, Kurti. Por për anëtarësimin në BE tani duhet të hedhë hapa të mëtejshëm.

Në nëntor në Shtëpinë e Bardhë mund të hyjë Trumpi, që mund ta bllokojë mbështetjen e rëndësishme të SHBA, i tha Klingbeil portalit t-online. Me fjalë të tjera, nëse SHBA largohen, stabilitet në Kosovë mund të sjellë vetëm një aleancë më e ngushtë me Brukselin, por që ka çmimin e saj, shkruhet më tej në portal.

Klingbeili nuk e kishte Serbinë në listën e vizitave të tij. “Serbia, fuqia kryesore ekonomike e rajonit, konsiderohet si një portë për ndikimin rus dhe kinez”, shkruhet në artikull. “Pekini investon miliarda në infrastrukturën serbe, Moska furnizon gaz të lirë dhe dezinformata antiperëndimore. Kreu i qeverisë serbe Aleksandër Vuçiq provokon hapur me qëndrimin e tij prorus, por pretendon se dëshiron të ndjekë edhe rrugën evropiane”.

Ndryshe, Albin Kurtit në fundjavë mori pjesë në panelin me temë “Politikat progresive – përgjigje ndaj sfidave të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert – zyra në Shkup. Në këtë panel mori pjesë edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Lars Klingbeil dhe kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski dhe figura tjera nga vendet e rajonit.

Gjatë vizitës së tij ishte raportuar për atentat ndaj kryeministrit Kurti në Shkup, informacione që ishin mohuar pastaj nga Policia e Maqedonisë së Veriut.