Xhaferi – Xhoana: Maqedonia e Veriut është faktor i stabiliteti në rajon

Siguria dhe stabiliteti i rajonit, siguria globale dhe zhvillimet aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, kanë qenë tema kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Qeverisë teknike, Talat Xhaferi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mirçea Xhoana në selinë e Aleancës në Bruksel, njofton Portalb.mk.

Në takimin, i cili është i pari në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel, Xhaferi e ka potencuar  përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në zonën Euro-Atlantike, jo vetëm si faktor ndikues i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por edhe me pjesëmarrje aktive në misionet e NATO-s në Kosovë, Irak, EUFOR ALTEA në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në grupet luftarake të NATO-s në Letoni, Rumani dhe Bullgari.

Në takim, siç informojnë nga pres-qendra qeveritare, është potencuar se në pajtueshmëri me përkushtimin për investime në mbrojtje dhe në përputhje me vendimin e NATO-s nga Samiti në Vilnius, Republika e Maqedonisë së Veriut nga ky vit ndan së paku 2 përqind të BPV-së për buxhetin e mbrojtjes, nga të cilat 30 përqind është për modernizimin e Armatës. Me këtë, Maqedonia e Veriut është ndër vendet anëtare të NATO-s që kanë arritur përkushtimin, i cili është baza për zbatimin efektiv të planit më të fuqishëm të mbrojtjes të NATO-s.

Në mënyrë plotësuese, Maqedonia e Veriut, siç thuhet në kumtesë, vazhdon me mbështetjen e fuqishme për Ukrainën në luftën e saj për lirinë dhe paqen e popullit ukrainas, dhe kundër tmerreve që agresioni ushtarak rus po shkakton ende në territorin e Ukrainës.

Në takim është biseduar edhe për 75-vjetorin e ardhshëm të formimit të Aleancës, në vitin i cili solli sfidë më të madhe nga formimi i saj – NATO u zgjerua me një tjetër anëtare – Finlandën, dhe së shpejti me një anëtare tjetër – Suedinë, duke e bërë Aleancën më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë.

Duke marrë parasysh zgjedhjet e ardhshme në të cilat do të vendosin më shumë se 2 miliardë qytetarë anembanë botës, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, në takim u diskutua edhe për sfidat që presin në periudhën zgjedhore, për të cilat fokusi është vendosur në forcimin e trajtimit të kërcënimeve hibride, dezinformimi dhe mbrojtja kibernetike.

Vizitën e punës në Bruksel, Xhaferi nesër e vazhdon me takime me lkryetarin e Këshillit të BE-së, Sharl Mishel dhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, si dhe me eurodeputetë nga radhët e grupacioneve politike proevropiane.