Moda e qëndrueshme nordiko-baltike do të prezantohet nesër në Shkup në kuadër të Fashion Weekend Skopje

Ambasada e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, së bashku me partnerët e saj nordikë dhe baltikë, do ta përmbyllë projektin “Moda e Gjelbër dhe e Qëndrueshme – Historia Nordiko-Baltike” me një program publik që organizohet në kuadër të edicioni të 33-të të Fashion Weekend Skopje, transmeton Portalb.mk.

Ngjarja, e cila do të mbahet më 31 tetor 2026 në orën 14:00-15:30 në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, do të mbledhë dizajnerë, artistë, studentë, profesionistë të industrisë së modës dhe publikun e gjerë për një pasdite kushtuar kreativitetit, qëndrueshmërisë dhe dialogut.

Programi përfshin një shfaqje mode nga dizajnerja daneze Sille Damgaard, performanca artistike dhe ekspozita nga Anna Ringstad (Norvegji) dhe Tuva Samuelsson (Suedi), si dhe një video-instalacion nga Justina Semčenkaitė (Lituani). Ngjarja do të përmbyllet me një diskutim publik me titull “Moda, Arti Bashkëkohor dhe Qëndrueshmëria”, i cili do të shqyrtojë marrëdhënien ndërmjet modës dhe artit bashkëkohor, rolin e qëndrueshmërisë në praktikat kreative, si dhe ndikimet më të gjera shoqërore dhe industriale të këtyre zhvillimeve.

Ngjarja shënon aktivitetet përmbyllëse të projektit “Moda e Gjelbër dhe e Qëndrueshme – Historia Nordiko-Baltike”, i cili përmes një programi rezidence për dizajn të mbajtur në mars 2026 mblodhi njëmbëdhjetë dizajnerë nga rajoni nordiko-baltik dhe Maqedonia e Veriut. Nisma eksploroi ndërlidhjet ndërmjet modës, qëndrueshmërisë dhe trashëgimisë kulturore, duke nxitur shkëmbimin profesional dhe bashkëpunimin mes dizajnerëve nga vende të ndryshme.

Gjatë vitit, projekti prezantoi ekspozita, diskutime publike dhe takime me përfaqësues të industrisë, ndërsa angazhoi edhe të rinjtë përmes punëtorive mbi modën e qëndrueshme, materialet inovative, teknikat bashkëkohore të dizajnit dhe dizajnin 3D të modës për nxënësit e shkollave të mesme të tekstilit në Maqedoninë e Veriut.

Duke lidhur dizajnerë, edukatorë dhe krijues të rinj, projekti kontribuoi në shkëmbimin e njohurive, nxitjen e inovacionit dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e modës së qëndrueshme. Aktivitetet e tij përmbyllëse ndërtojnë mbi frymëzimin, partneritetet dhe shkëmbimet kreative të krijuara gjatë programit dhe theksojnë rolin gjithnjë e më të madh të modës si platformë për shprehje artistike, qëndrueshmëri dhe ndryshim shoqëror.

Projekti financohet nga Këshilli Nordik i Ministrave dhe zbatohet nga Ambasada e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, në bashkëpunim me ambasadat e Danimarkës, Norvegjisë, Finlandës dhe Lituanisë, si dhe në partneritet me Shoqatën Maqedonase të Modës.