EShR: Ministria e Financave e ka vonuar deri në 48 ditë pune pagesën e 230 milionë eurove

Ministria e Financave e ka vonuar nga 10 deri në 48 ditë pune pagesën e mjeteve për linjën kreditore të destinuar për investime dhe zhvillim të kompanive private, ka konstatuar Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) në raportin përfundimtar për menaxhimin e linjës kreditore nga kredia hungareze e destinuar për kompanitë private me emrin: “Linja kreditore për financimin e investimeve dhe zhvillimit të shoqërive tregtare private me mjete nga Marrëveshja për huamarrje nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Edhe pse me marrëveshjen është paraparë që Ministria t’i paguajë mjetet e kërkuara në afat prej 10 ditësh pune, revizorët kanë konstatuar se vonesa ka filluar te transha e katërt për muajin maj të vitit 2025 dhe ka vazhduar në periudhën në vazhdim, transmeton Portalb.mk.

Sipas EShR-së pagesa jo në kohë e mjeteve ndaj Bankës Zhvillimore të Maqedonisë mund të ndikojë në dinamikën e realizimit të investimeve të kompanive që i shfrytëzojnë këto kredi. Për këtë arsye revizorët rekomandojnë që Ministria e Financave të ndërmarrë masa për pagesën në kohë të transheve.

Revizioni i referohet pjesës së kredisë të famshme hungareze, të cilën qeveria e Hristijan Mickoskit e mori nga qeveria e Viktor Orbanit para zgjedhjeve lokale në Maqedoni, e cila ishte pjesërisht e destinuar për komunat e pjesërisht për kompanitë. Ky revizion i referohet pjesës për kompanitë të cilat mjetet i merrnin përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë. Periudha e revizionit është nga muaji janar i vitit 2025 deri në muajin prill të vitit 2026.

Në raportin përfundimtar EShR konkludon se aktivitetet e Bankës Zhvillimore në raport me kornizën ligjore dhe menaxhimin e mjeteve janë në përputhje me rregullativën relevante ligjore dhe nënligjore, aktet interne dhe marrëveshjet në të gjitha aspektet materiale. Vonesa në transferimin e mjeteve nga Ministria e Financave është veçuar në pjesën për çështjet e pasigurisë.

Sipas të dhënave në raportin e revizionit për linjën kreditore janë miratuar kredi në një shumë të përgjithshme prej rreth 14,26 miliardë denarësh, ose 230 milionë euro.

Pjesa më e madhe e mjeteve të miratuara kanë të bëjnë me kompanitë e mesme dhe të mëdha, ndërsa kompanitë e vogla kanë pjesëmarrje më të madhe sipas numrit të projekteve.

Nga gjithsej 767 projekte 455 janë të kompanive të vogla, gjegjësisht 59 përqind e numrit të përgjithshëm të projekteve. Për këto janë miratuar 3,56 miliardë denarë, që është një e katërta e shumës së përgjithshme.

Për 171 projekte të kompanive të mesme janë miratuar rreth 4,61 miliardë denarë, gjegjësisht 32 përqind e mjeteve. Kompanitë e mëdha kanë pasur 94 projekte me kredi të miratuara prej rreth 4,72 miliardë denarë, që është 33 përqind nga shuma e përgjithshme.

Mikro kompanive u janë miratuar 47 projekte në vlerë prej rreth 1,36 miliardë denarë, gjegjësisht 10 përqind e mjeteve.

Sipas veprimtarisë të kompanive, pjesa më e madhe e kredive të miratuara janë të destinuara për prodhimtarinë.

Për 281 projekte prodhuese janë miratuar rreth 6,29 miliardë denarë, që paraqet 44 përqind nga shuma e përgjithshme. Pastaj vijnë ato tregtare me 194 projekte dhe 3,50 miliardë denarë të miratuara, gjegjësisht 25 përqind të mjeteve.

Kompanitë nga sektori i transportit kanë pasur 129 projekte me kredi të miratuara prej rreth 1,45 miliardë denarë, që paraqet 10 përqind të mjeteve.

Për ndërtimtarinë janë miratuar rreth 988 milionë denarë për 63 projekte, ndërsa për hotelet dhe hotelerinë janë miratuar rreth 852 milionë denarë për 37 projekte.

Në kategorinë “Të tjera” janë listuar 63 projekte me kredi të miratuara prej rreth 1,17 miliardë denarë.

Sipas llojit të investimit pjesa më e madhe e mjeteve janë miratuar për objekte ndërtimore dhe pajisje. Për objekte ndërtimore janë miratuar rreth 6,62 miliardë denarë, gjegjësisht 46 përqind nga shuma e përgjithshme, ndërsa për pajisje rreth 5,48 miliardë denarë, apo 39 përqind.

Për investime në burime të ripërtëritshme të energjisë janë miratuar rreth 1,60 miliardë denarë, që është 11 përqind, ndërsa për mjete transportuese janë destinuar rreth 545 milionë denarë, gjegjësisht 4 përqind e mjeteve.

Për të kontrolluar nëse mjetet miratohen dhe menaxhohen në përputhje me rregullat e përcaktuara EShR e ka shqyrtuar dokumentacionin për projektet e miratuara dhe pagesat për ato.

Revizioni ka përfshirë 123 projekte në vlerë prej 7,33 miliardë denarësh. Kjo paraqet 52 përqind të mjeteve të përgjithshme të tërhequra sipas projekteve të miratuara, të cilat në raport janë shënuar në shumën prej 14,08 miliardë denarë.

Projektet e përfshira paraqesin 16 përqind nga 752 projektet e miratuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 2026, thuhet në raport.

Krahas kësaj, në periudhën nga muaji mars deri në muajin prill të vitit 2026 janë miratuar mjete për 15 projekte të reja me vlerë të përgjithshme prej rreth 167,6 milionë denarë.

Banka Zhvillimore dhe bankat pjesëmarrëse kanë për obligim që ta kontrollojnë shfrytëzimin e mjeteve. Bankat duhet që në bazë tremujore ta njoftojnë Bankën Zhvillimore për realizimin e linjës kreditore dhe, me kërkesë të saj, të mundësojnë qasje në dokumentacion.

Banka Zhvillimore, nga ana tjetër, kontrollon nëse kërkesat e dorëzuara i plotësojnë kriteret në raport me destinimin, shumën e kredisë, afatin e kthimit dhe veprimtaritë e lejuara për kreditim.

Shuma e përgjithshme e planifikuar e linjës kreditore është 250 milionë euro me kundërvlerë në denarë.

Kushtet parashikojnë shumë maksimale të kredisë së miratuar për një shfrytëzues deri në 10 milionë euro me kundërvlerë në denarë, afat kthimi deri në 15 vjet, duke përfshirë edhe periudhë mospagimi deri në tre vjet, si dhe normë fikse të interesit prej 1,95 përqind.

Për miratimin dhe menaxhimin e kredive nuk janë paraparë kompensime, ndërsa shfrytëzuesit përfundimtarë duhet të sigurojnë vetë pjesëmarrje prej të paktën 20 përqind të vlerës së investimit.

EShR ka konstatuar se nga muaji shkurt i vitit 2025 deri në muajin mars të vitit 2026 Banka Zhvillimore ka dorëzuar 14 kërkesa për tërheqjen e parave, me ç’rast janë tërhequr mjete në vlerë të përgjithshme prej 14.256.936.000 denarësh. Te pagesat nga Ministria e Financave, duke filluar nga transhi i katërt për muajin maj të vitit 2025, revizorët kanë konstatuar vonesë prej 10 deri në 48 ditë pune përtej afatit të dakorduar.

Në raportin përfundimtar është theksuar edhe se personat përgjegjës të Bankës Zhvillimore nuk kanë dorëzuar vërejtje në projekt-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror.

Kujtojmë se në raportin paraprak të Entit Shtetëror të Revizionit për buxhetin bazë të Ministrisë së Transformimit Digjital për vitin 2024 thuhet se gjashtëmbëdhjetë objekte afariste janë regjistruar me vlerë prej vetëm një denari secili, për mallra dhe shërbime janë paguar rreth 44.400 euro pa u zhvilluar procedurë e prokurimit publik, ndërsa detyrimet ndaj furnizuesve vendorë në fund të vitit 2024 arrinin në rreth 235.400 euro. Në të njëjtën kohë, pasuria dhe pajisjet nuk ishin të siguruara, ndërsa 43 përqind e vendeve të sistematizuara të punës kishin mbetur të paplotësuara.