Një e nesërme me kërcënime të panjohura

Historikisht, një shqetësim për shtetet ka qenë se çfarë mund të bëjnë në situata të caktuara, kur furnizimet me ushqim dhe armatim ndërpriten ose pengohen për arsye të ndryshme.

Në Mesjetë, transporti detar dhe linjat e tjera të furnizimit ishin ato që siguronin për shtetet dhe ushtritë materialet thelbësore për mbijetesën e tyre. Në epokën industriale, natyra e transportit ndryshoi, pasi trenat, së bashku me modele të tjera transporti, morën rolin kryesor.

Kohët e fundit, në lajme kemi dëgjuar se Britania e Madhe dhe shtete të tjera evropiane, së bashku me ShBA, po u bëjnë thirrje qytetarëve dhe ushtrive të tyre që të krijojnë rezerva ushqimore dhe të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur për disa javë ose muaj. Popullata në të dyja anët e Atlantikut ka filluar përgatitjet për të nesërmen e cila nuk dihet se si do të jetë.

Pa ndonjë shqetësim se një luftë bërthamore është në prag të shpërthimit, njoftimet aktuale janë pjesë e masave paraprake dhe përgatitjeve kundër sulmeve kibernetike dhe llojeve të tjera të sulmeve, kërcënime me të cilat përballen si demokracitë e brishta, ashtu edhe ato të qëndrueshme, qoftë nga burime të jashtme apo të brendshme, me qëllim përgatitjen për një të ardhme që mund të rezultojë edhe më e rëndë se epoka e Luftës së Ftohtë dhe periudha që pasoi.

Është në interesin tonë të vëzhgojmë se si BE-ja dhe SHBA-ja veprojnë në bashkëpunim me shtetet e Ballkanit Perëndimor, vende që prej kohësh aspirojnë t’i bashkohen unionit dhe që kanë marrë ndihmë nga BE-ja dhe SHBA-ja, pikërisht për t’u përgatitur ndaj sulmeve kibernetike të të gjitha llojeve.

Strategjia e BE-së e zhvendos fokusin në mënyrë strikte te lufta hibride dhe siguria e rrjetit energjetik, duke e trajtuar infrastrukturën civile si vijën e parë moderne.

Në përgjigje të një fushate përshkallëzuese të operacioneve të fshehta, BE-ja ka krijuar korniza reagimi të shpejtë për të parandaluar skenarët e ndërprerjes së energjisë. Së fundimi Komisioni Evropian (KE) ka paraqitur Protokollin e Sigurisë Emergjente së bashku me një “manual të centralizuar kundër-hibrid”.

“Ky mekanizëm vepron si “Neni 4 i vetë Evropës”, duke u mundësuar shteteve anëtare të anashkalojnë vonesat tradicionale burokratike dhe të nisin kundërsulme kolektive dhe të koordinuara kundër agresionit të zonës gri”.

Për sa i përket anës operative Qendra e Inteligjencës dhe Situatave e BE-së (EU INTCEN) përdor një formë speciale për të ndarë shpejt informacionet inteligjente me vendet anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate.

Një shqetësim në rritje që është vënë re gjatë këtij viti kanë qenë sulmet ruse me dronë në aeroportet e shteteve evropiane dhe më e keqja si skenarë paraqitet rënia e rrjetit energjetik në Evropë.

Për të forcuar shërbimet, BE-ja mbështetet në zbatimin e dyfishtë të Direktivës NIS2 për Sigurinë Kibernetike dhe Direktivës së Rezistencës së Subjekteve Kritike (CER). Direktiva ka të bëjë me planet dhe përgatitjet e operatorëve kryesorë evropianë të energjisë për të mbrojtur asetet energjetike.

Direktiva tjetër përfshinë rezistencën digjitale e cila ka të bëjë me zbatimin e protokolleve të sigurisë kibernetike për të zënë operacionet e rrjetit inteligjent përpara se të shkaktohen dëme. Shtetet evropiane sidomos pas vitit 2022 kanë ndarë buxhete të mjaftueshme për programe që një ditë mund të vihen në funksion të sigurisë kombëtare.

Ndërkaq në ShBA ashtu njëjtë si në BE dhe Britani të Madhe, qeveria federale bashkë me njësitë tjera të sigurisë janë përfshirë në fushatën e zgjimit dhe forcimit të kapaciteteve të rrjetit energjetik dhe pjesëve tjera të infrastrukturës kritike.

Pavarësisht angazhimeve të mira në Evropë dhe në ShBA, integrimi digjital dhe inteligjenca artificiale mund të bëjnë shumë punë negative. Për lexuesit tanë duhet nënvizuar se në ShBA sigurimi i rrjetit elektrik mbështetet në një partneritet midis Departamentit të Energjisë (DOE) dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS).

Entiteti kryesor përgjegjës për mbrojtjen e infrastrukturës fizike të energjisë është Zyra e Sigurisë Kibernetike, Sigurisë së Energjisë dhe Përgjigjes ndaj Emergjencave (CESER), që vepron nën DOE.

Njëkohësisht, Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) vepron si koordinatore më e gjerë e infrastrukturës kritike në ShBA.

Pavarësisht të gjitha përgatitjeve dhe programeve, shtetet perëndimore nuk janë imune ndaj kërcënimeve që mund të çrregullojnë jetën dhe të shkaktojnë probleme të mëdha për Perëndimin dhe botën, pasi edhe kundërshtarët e Perëndimit po përgatiten për skenarin më të keq.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor mbështeten në infrastrukturën perëndimore, por për ironi, për shkak të një niveli më të ulët të digjitalizimit dhe modernizimit, ato mund të jenë më pak të prekura drejtpërdrejt nga çrregullime të mëdha.

Kjo nuk do të thotë se shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe qeveritë e tjera nuk mund të preken nga ndërprerjet në furnizimin me ushqime dhe burime energjie, gjë që mund të shkaktojë një krizë të re, jo vetëm në këto rajone, por edhe gjetkë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.