“Kërkoj procedurë të drejtë”, mjeku në RMV paralajmëroi grevë urie për shkak të dyshimeve për konkurs jotransparent për punësim
Në një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe MASH-it, mjeku dhe specialisti privat në specializim Darko Vasilevski paralajmëroi se do të hyjë në grevë urie, pasi për të tretën herë është refuzuar në një konkurs publik për punësim, i cili, sipas tij, është zhvilluar në mënyrë jotransparente, me trajtim jo të barabartë të të gjithë kandidatëve dhe me diskriminim për shkak të moshës së tij, transmeton Portalb.mk.
Në letër, ai shpreh publikisht pakënaqësi të thellë për mënyrën se si është zhvilluar procedura e përzgjedhjes së kandidatëve dhe është marrë vendimi për punësim pas konkursit publik 01/2026 për punësimin e dy doktorëve të mjekësisë në Institutin për Fiziologji Mjekësore dhe Eksperimentale me Antropologji, me kohë të pacaktuar, në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Konkursi është publikuar në tri gazeta ditore më 31 gusht 2026.
“Si mjek dhe specialist privat në specializim, i cili prej vitesh investon mjete private në arsimimin, përsosjen profesionale dhe përvetësimin e njohurive të tij, prisja që në një konkurs publik të kisha mundësi të barabartë për t’i paraqitur cilësitë e mia. Fatkeqësisht, edhe pjesëmarrja ime e tretë radhazi në konkursin publik për punësimin e mjekëve të mjekësisë së përgjithshme, të publikuar nga Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, kaloi me dyshime për mënyrën se si zhvillohet përzgjedhja e kandidatëve dhe lë hapësirë për pakënaqësi serioze dhe pyetje lidhur me transparencën, kriteret dhe trajtimin e barabartë të të gjithë kandidatëve. Njoftimi për kandidatët e pranuar është dërguar përmes emailit, pa udhëzim juridik dhe pa shpjegim se mbi bazën e cilave kritere janë përzgjedhur kandidatët e pranuar”, shkruan Vasilevski.
Ai gjithashtu pretendon se është diskriminuar për shkak të moshës.
“Mosha nuk është kriter për punësim, por bazë për diskriminim! Konkursi publik për punësim duhet të jetë garanci për mundësi të barabarta, ndërsa përzgjedhja duhet të jetë transparente, objektive dhe e bazuar në njohuri, profesionalizëm, përvojë dhe përmbushjen e kushteve”, shkruan Vasilevski në postimin e tij në Facebook.
Ai thotë se nuk kërkon privilegje, por mundësi të barabartë, procedurë të drejtë, vlerësim të punës dhe viteve të arsimit, punës dhe përsosjes profesionale, si dhe procedurë transparente, në të cilën njohuritë, profesionalizmi dhe përvoja profesionale e kandidatëve do të jenë kriteret reale për përzgjedhje.
“Publiku ka të drejtë të dijë se si dhe mbi bazën e cilave kritere është marrë vendimi. Prandaj u bëj thirrje Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe MASH-it që lidhur me Konkursin Publik 01/2026 të sigurojnë një proces të qartë dhe transparent të përzgjedhjes, në të cilin përparësi do të kenë profesionalizmi, kompetenca dhe arritjet profesionale, e jo kritere të tjera që nuk janë të përcaktuara qartë në konkurs. Si formë të fundit të protestës së qetë qytetare, paralajmëroj edhe grevë urie, me qëllim që kërkesa ime për një procedurë të drejtë dhe transparente të dëgjohet”, shkruan në postimin e tij në Facebook.
Deri tani nuk ka reagime nga institucionet të cilave ai u është drejtuar në letrën e hapur.