Mjedisi nën kolaps: Viti 2025 mes ndotjes, kaosit dhe reformave të papërmbushura
Viti 2025 në Maqedoninë e Veriut në fushën e mjedisit do të mbahet mend për ndotjen enorme të ajrit, kaosin me mbeturinat në kryeqytet, ngecjet dhe zvarritjet institucionale për t’i zgjidhur kërcënimet mjedisore dhe reformat e papërmbushura. Portalb.mk përmes një retrospektive sjell ngjarjet kryesore nga fusha e mjedisit për vitin që lajmë pas.
Viti ashtu si filloi edhe përfundoi me ndotje enorme të ajrit. Shkupi edhe në vitin 2025 u radhit disa herë në top listat botërore si qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë. Ky problem preku të gjithë vendin, ndërsa veprimet e institucioneve ishin vetëm sa për sy e faqe. Për shkak të ndotjes së ajrit, në Maqedoninë e Veriut u raportua se çdo vit vdesin rreth katër mijë njerëz.
Përveç ndotjes së ajrit, Shkupi këtë vit u shndërrua në deponi të madhe. Për shkak të ngecjeve institucionale dhe përplasjeve pushtet lokal dhe qendror në Qytetin e Shkupit, në Shkup me javë të tëra nuk mblidheshin mbeturinat, apo vetëm pjesërisht, kështu duke shkaktuar deponi gjithandej dhe alarm për përhapjen e sëmundjeve.
Kur jemi te deponitë, Gjykimi për deponinë e egër të Strugës, e cila ndodhet vetëm 500 metra nga shtëpitë e para, në afërsi të lumit Drini i Zi dhe 2 kilometra larg nga Liqeni i Ohrit, u njoftua se do të mbahet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pasi e njëjta e pranoi kërkesën për një nga problemet më të mëdha ekologjike dhe shëndetësore në Strugë.
Deponitë ilegale mbetën problem i pazgjidhur për shumë komuna, ndërsa deponitë moderne rajonale nuk u ndërtuan siç u premtuan.
Pavarësisht se në Maqedoninë e Veriut gjatë një viti paguhen rreth 200 milionë euro tatime rreth mjedisit jetësor, pjesa më e madhe e paguar për energjinë dhe transporti, përkrahja më e madhe për reforma në mjedis vjen nga Bashkimi Evropian dhe shtetet perëndimore si Zvicra.
Ngecje në mjedis konstatoi edhe Enti Shtetëror i Revizionit, sipas të cilëve Maqedonia nuk ka ligj për veprim klimatik, as Plan Kombëtar për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike, nuk dihet se sa janë emetimet e gazrave serrë, as cilat janë efektet e masave që shteti i ka parashikuar deri më tani.
ESHR nxori në pah se institucionet janë të pakoordinuara në aktivitetet për mbrojtje nga ndryshimet klimatike dhe edhe pse vendi bën pjesë në grupin e shoqërive seriozisht të cenueshme, të cilat preken nga ndryshimet klimatike në shumë sektorë, reagimi i tyre ndaj kërcënimeve është ende i pamjaftueshëm.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, edhe vitin 2025 i radhiti dështimet e vendit në fushën e mjedisit dhe klimës.

KE-ja theksoi se reformat mjedisore kanë ngecur, ndërsa institucionet kanë dështuar tu sigurojnë qytetarëve mjedise të shëndetshme dhe ajër të pastër, kështu duke i vendosur ata përballë rreziqeve në shëndetin e tyre.
Bashkimi Evropian e porositi qartë vendin se në vitin e ardhshëm duhet të forcojë kapacitetet administrative dhe inspektuese për të zbatuar dhe zbatuar acquis-in mjedisor dhe për të zbatuar reformat strukturore në të gjithë sektorë.
RMV-ja vitin e ardhshëm duhet të sigurojë funksionimin e strukturave rajonale të menaxhimit të mbeturinave dhe të mundësojë zbatimin e investimeve në infrastrukturë për të krijuar një sistem rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet Verilindor dhe Lindor.
Gjithashtu vendi duhet të miratojë Ligjin për ndryshimet klimatike, të zbatojë Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP), të përafrohet dhe të zbatojë acquis-in e Monitorimit, Raportimit, Verifikimit dhe Akreditimit (MRVA) dhe ta bëjë njësinë e ndryshimeve klimatike brenda Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Një moment tjetër që shënoi vitin 2025 ishte protesta e aktivistëve në Kozhuf kundër ndërtimit të një hidrocentrali të vogël në lumin Doshnicë e cila madje u përkrah edhe nga eko-aktivistja nga Suedia Greta Thunberg. Aktivistët e fituan këtë betejë.
Shoqëria civile vazhdoi të jetë aktive dhe të bëjë presion edhe për shumë çështje tjera mjedisore si Ligji për planifikim urban, apo Parku Kombëtar i Mavrovës.
Ligji për mbrojtjen e Matkës edhe vitin 2025 mbeti i bllokuar nëpër institucione.
Vitin që lamë pas tranzicioni energjetik çaloi. Vendi vazhdon të mos ketë zgjidhje të qëndrueshme as për pikat nxehta ekologjike. Ndotja e lumenjve vazhdoi të jetë e madhe dhe e dëmshme, me theks të veçantë: Drini i Zi, Shkumbini, Vardari.
Në mesin e gjithë ngecjeve, u shënuan edhe pak lëvizje pozitive, pati aksione simbolike për pastrime të ndryshme, ndërsa Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për kontrollin e emisioneve industriale, me të cilin synohet mjedis më i pastër.
RMV-ja në vitin 2026 hyn me shumë obligime të papërmbushura. Presioni nga Bashkimi Evropian, alarmet e vazhdueshme shëndetësore dhe aktivizmi qytetar e bëjnë të pashmangshme nevojën për veprime konkrete, nga miratimi i ligjeve për klimën dhe funksionalizimi i menaxhimit rajonal të mbeturinave, deri te lufta reale kundër ndotjes së ajrit dhe ujërave. Reformat në fushën e mjedisit mbeten ndër më të kushtueshmet dhe më sfidueset për vendin, por edhe të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe përmbushjen e reformave për në BE.