Tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale në Pollog nuk u publikua në shtator, u shty përsëri afati
Përsëri u shkel afati për tenderin e ndërtimit të deponisë rajonale në Pollog, i njëjti duhej të shpallej në shtator, por sipas Ministrisë së Mjedisit situata në terren ka ndryshuar dhe tenderi pritet të shpallet brenda gjashtë muajve, shkruan Portalb.mk.
Hapja e tenderit për këtë projekt vazhdimisht është zvarritur, së fundmi në muajin prill 2024 nga Qeveria e RMV-së thanë se tenderi do të publikohet në shtator, por kjo nuk u bë.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Portalb.mk tha se projekti për ndërtimin e deponisë rajonale në Rusino është ende në përgatitje e sipër, duke pasur parasysh se situata në terren ka ndryshuar në krahasim me projektin fillestar të propozuar të ndërtimit.
“Pajisjet për mirëmbajtjen e deponisë janë blerë, në mënyrë që ajo të mund të funksionojë në përputhje me ligjin dhe bazuar në situatën e re, po përgatitet një projekt i ri zbatimi. Pritet që tenderi të shpallet brenda gjashtë muajsh”, thanë nga MMJPH.
Qeveria e RMV-së më 15 prill 2025 e miratoi ndërtimin e deponisë moderne në Pollog.
Sipas projektit, planifikohet ndërtimi i një deponie sanitare dhe mbyllja e deponisë së vjetër, nëpërmjet përmirësimit të vendndodhjes ekzistuese të deponisë konstante të Rusinos, do të vendoset në përputhje me Direktivën Kuadër të Mbetjeve të BE-së, Direktivën e Deponive dhe konkluzionet e Teknologjisë më të Mirë të Disponueshme (BAT) për trajtimin e mbeturinave.
Siç informuan nga Qeveria, zbatimi i plotë i projektit dhe vënia në punë e konceptit të ri pritet të përfundojë brenda dy viteve, pra në vitin 2027.
Ky projekt realizohet në kuadër të aktiviteteve të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta, përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Realizimi financiar i projektit është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me kredi shtetërore deri në 55 milionë euro për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu, në realizimin financiar të të gjithë projektit është përfshirë edhe një grant nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) prej 9 milionë franga (CHF), një grant nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“WBIF”) nga e cila Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 23.8 milionë euro, si dhe një grant nga Qeveria Suedeze përmes SIDA me 0.7 milionë euro.
Kujtojmë se tenderi për nëdrimin e deponisë moderne në Pollog dhe në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor vazhdimisht janë shtyrë dhe afatet kanë ndryshuar. Ndërsa sipas planifikimeve pritet që deri në vitin 2027 këto deponi të jenë të kompletuara dhe në vihen në funksion.
Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
- LEXO: Mbi një milion euro investim në deponin rajonale në Rusino, premtoi Qeveria e RMV-së
- LEXO: Deponia moderne rajonale në Pollog pritet të jetë gati në 2027, gjithçka që pritet të ndodhë dhe ndërtohet
- LEXO: Qeveria miratoi ndërtimin e deponisë moderne në Pollog
- LEXO: Nuk do të hapen në prill, është shtyrë afati për tenderët e deponive moderne në Pollog dhe dy rajonet tjera