Maqedonia tashmë pesë vjet po e shtyn Ligjin për Veprim Klimatik, edhe pse është mjeti kryesor për luftë kundër ndryshimeve klimatike
Maqedonia nuk ka ligj për veprim klimatik, as Plan Kombëtar për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike, nuk dihet se sa janë emetimet e gazrave serrë, as cilat janë efektet e masave që shteti i ka parashikuar deri më tani. Institucionet janë të pakoordinuara në aktivitetet për mbrojtje nga ndryshimet klimatike dhe edhe pse vendi bën pjesë në grupin e shoqërive seriozisht të cenueshme, të cilat preken nga ndryshimet klimatike në shumë sektorë, reagimi i tyre ndaj kërcënimeve është ende i pamjaftueshëm, konstatojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit (EShR), raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Për shkak të kapaciteteve të dobëta administrative shteti nuk mund ta mirëmbajë dhe përditësojë as Inventarin Kombëtar të Gazrave Serrë, i cili me ndihmën e projekteve ndërkombëtare për herë të fundit u përgatit në vitin 2019. Në pesë vitet e fundit shteti nuk ka të dhëna për emetimet e gazrave serrë, gjë që nuk është një bazë e mirë për hartimin e politikave dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike.
Në raportin e EShR-së konstatohet se legjislacioni ekzistues nga fusha e mjedisit jetësor rregullon çështje të caktuara që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, por kjo nuk është e mjaftueshme për të krijuar një sistem me të cilin shteti do t’i menaxhojë ndryshimet klimatike. EShR thekson se për shkak të vonesës në miratimin e Ligjit për Veprim Klimatik për më shumë se pesë vjet shteti nuk ka sistem, koordinim dhe komunikim midis institucioneve të përfshira në procesin e ndryshimeve klimatike.
“Me revidimin e Kontributit Kombëtar shteti u zotua që ta reduktojë emetimin e gazrave serrë për 82 % deri në vitin 2030 krahasuar me atë në vitin 1990, ndërsa sipas të dhënave zyrtare nga Inventari i Gazrave Serrë, në vitin 2019 emetimet e përgjithshme të gazrave serrë janë reduktuar për 9,2% krahasuar me vitin 1990. Meqenëse nuk ka të dhëna të reja në inventar dhe as Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor nuk ka mekanizma monitorimi, nuk është e mundur të vlerësohet rëndësia dhe efektet e masave të përdorura për arritjen e qëllimit të caktuar deri në vitin 2030”, thuhet në raportin e revizorëve.
Maqedonia ka miratuar një Strategji Afatgjatë për Veprim Klimatik 2020-2050, me të cilën u zotua të reduktonte emetimet neto të gazrave serrë, pa i përfshirë emetimet MEMO, për 72% krahasuar me vitin 1990, por nuk caktoi neto emetime zero për neutralitet të plotë klimatik, duke dështuar kështu t’i përmbushë detyrimet e saj sipas Marrëveshjes të Gjelbër Evropiane.
Vendi nuk ka një Plan Kombëtar për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike, por disa nga strategjitë sektoriale parashikojnë masa dhe politika për përshtatje. Për shkak të mungesës së mekanizmave për monitorimin e zbatimit të këtyre politikave dhe masave nuk mund të konfirmohet nëse ato po japin rezultate dhe nëse janë të përshtatshme për arritjen e qëllimeve të përcaktuara në Kontributin Kombëtar të reviduar.
Mbi bazë të fakteve të përfshira në raport Enti Shtetëror i Revizionit rekomandon që vendi ta miratojë Ligjin për Veprim Klimatik dhe Planin Kombëtar të Përshtatjes dhe të ushtrojë presion mbi të gjithë ata që janë të detyruar të dorëzojnë të dhëna mbi emetimet e gazrave serrë që ta bëjnë këtë dhe ta azhurnojë Inventarin.
“Të bëhet revizion i Strategjisë Afatgjatë për Veprim Klimatik dhe Kontributit të reviduar në raport me qëllimet për reduktimin e gazrave serrë me qëllim arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 dhe arritjen e qëllimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare. Duhet të vendoset edhe monitorim dhe raportim lidhur me zbatimin e masave dhe aktiviteteve të përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit për Ndryshimet Klimatike”, thuhet në raportin e EShR-së.
Kujtojmë se, për shkak të ndryshimeve klimatike liqenet malore në Maqedoninë e Veriut po e humbasin ujin, e disa prej tyre edhe mund të zhduken.
Pas “Raportit të klimës dhe zhvillimit të vendit”, i cili paralajmëroi për rreziqet që vendi mund të përballet si pasojë e ndryshimeve klimatike, aktivistët që merren me mbrojtjen e mjedisit në këtë vend kishin akuzuar qeverinë dhe institucionet lokale në Maqedoninë e Veriut se nuk u kushtojnë vëmendje të duhur çështjeve të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së mjedisit, si dhe ekosistemeve natyrore.