Shteti kundër natyrës: Ligji për mbrojtjen e Matkës i bllokuar nëpër institucione

Mbrojtja e Kanionit të Matkës mbetet e bllokuar nëpër institucione. Vitin që shkoi Ligji për shpalljen e Matkës si monument natyror u kthye nga Kuvendi përsëri në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për shkak të vërejtjeve nga institucionet e tjera shtetërore. Një vit më vonë Ligji është ende në Ministri, edhe pse në vitin 2023 mori dritë jeshile nga Qeveria, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor nuk dëshirojnë të informojnë se çfarë mospërputhjesh ekzistojnë mes institucioneve, çfarë vërejtjesh ka dhe nga cilat ministri apo organe të tjera vijnë ato. Për momentin ky institucion nuk ka ministër, sepse në zgjedhjet lokale Izet Mexhiti u bë kryetar i Çairit, kështu që kjo dhe të gjitha çështjet e tjera do të duhet të presin derisa të emërohet një ministër i ri.

Deri më atëherë do të mbetet e paqartë se si vërejtjet e institucioneve nuk janë shqyrtuar më parë, duke pasur parasysh se harmonizimi i tekstit të ligjit, si dhe Studimi për rivalorizimin e lokalitetit Matka, zgjati me vite. Janë përmendur ministritë, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Sarajit, si propozim  administrues, Ndërmarrja Publike për Menaxhimin dhe Mbrojtjen e Zonës Shumëqëllimore “Jasen” dhe institucione të tjera që kanë ndonjë lidhje me Matkën. Procesi rezultoi me miratimin e Projekt-ligjit për Shpalljen e Kanionit Matka si Zonë e Mbrojtur e Kategorisë III – Monument i Natyrës nga Qeveria në muajin shkurt të vitit 2023, i cili ishte hapi i nevojshëm për vazhdimin e procedurës në Kuvend.

Pasi për më shumë se një vit qëndroi në sirtarët në Kuvend, ligji, në vend që të votohej u kthye disa hapa prapa.

Mungesa e mbrojtjes së njërës prej pasurive natyrore më me vlerë të vendit, Kanionit Matka, tashmë për disa vite me radhë ka qenë pjesë e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian mbi rrugën e vendit drejt BE-së. Si raporti i fundit ashtu edhe ai i vitit të kaluar në Kapitullin 27 theksojnë se proceset e shpalljes së zonave të mbrojtura me rëndësi të madhe, siç janë Liqeni i Ohrit, Studençishko Bllato, Kanioni Matka dhe rishpallja e Parkut Kombëtar të Mavrovës, po zvarriten, ndërkohë që po mbyllim sytë edhe në prag të uzurpimit dhe betonizimit të tyre.

Sipas tekstit të ligjit Matka do të duhet të fitojë mbrojtje të gjendjes natyrore të lokalitetit, parandalim të shkatërrimit të habitateve dhe ekosistemeve, ruajtje dhe rritje të diversitetit biologjik dhe peizazhor, përdorim të qëndrueshëm të burimeve natyrore në një mënyrë që nuk e kërcënon mbijetesën e habitateve dhe specieve, si dhe të emërojë një subjekt menaxhues që do të kujdeset për zonën e mbrojtur dhe do të përgatisë dokumente strategjike për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të trashëgimisë natyrore.

Pritet që me mbrojtjen e duhur të Matkës të sigurohet përparim në përmbushjen e qëllimeve dhe veprimeve të Strategjive Kombëtare për Mbrojtjen e Natyrës dhe Diversitetit Biologjik dhe të detyrimeve nga direktivat dhe Konventat e BE-së, por edhe të krijohet një bazë për zhvillimin e turizmit ekologjik dhe zbatimin e konceptit të shërbimeve të ekosistemit.

Ligji parasheh një Plan Menaxhimi do të miratohet brenda një viti pas miratimit të tij, si dhe një Program Vjetor për Mbrojtjen e Natyrës brenda tre muajve. Menaxhimi i është caktuar Qytetit të Shkupit, Komunës së Sarajit dhe Jasenit.

Me këtë ligj Matka është e ndarë në disa: zona e mbrojtjes së rreptë, zona e menaxhimit aktiv, zona e përdorimit të qëndrueshëm dhe zona e mbrojtur. Zona e mbrojtjes të rreptë mbulon pothuajse 39 përqind të zonës, që përfshin katër zona më të mëdha: Kozjak, Dobrashija, Matka-Vrello dhe Plloça. Në këtë zonë është e ndaluar të kryhen aktivitete që rrezikojnë origjinalitetin e natyrës dhe prishjen e ekuilibrit natyror, prandaj Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Sarajit janë të detyruar të sigurojnë monitorim të vazhdueshëm. Në zonën e mbrojtjes së rreptë lejohen aktivitete shkencore dhe hulumtuese me kusht që ato të mos bien ndesh me qëllimet kryesore të mbrojtjes së zonës.