Organizatat e shoqërisë civile i kërkuan Qeverisë veprime urgjente për të rishpallur dhe mbrojtur Parkun Nacional “Mavrova”

Mbi 15 organizata dhe iniciativa të shoqërisë civile i paraqitën sot kërkesë zyrtar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar veprime urgjente për të rishpallur dhe mbrojtur Parkun Nacional të Mavrovës në përputhje me dispozitat ligjore. Kërkesa, drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, thekson “shkeljet e rëndësishme të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës”, të cilat, sipas tyre, kërcënojnë integritetin ekologjik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të parkut, transmeton Portalb.mk.

Në ankesë, organizatat shprehin shqetësim të thellë për procesin afatgjatë të transformimit të Parkut Kombëtar të Mavrovës në përputhje me legjislacionin ekzistues dhe standardet ndërkombëtare. Ato argumentojnë se situata aktuale minon mbrojtjen e kësaj zone kritike dhe pengon mbështetjen e komuniteteve lokale në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Kërkesa rendit disa probleme kryesore që kërcënojnë Parkun Kombëtar të Mavrovës, siç janë Ligji i pamiratuar për Rishpalljen, mungesa e një plani menaxhimi, aktivitetet e paligjshme të palejuara, financimi i paqëndrueshëm dhe rënia e popullatave të specieve të mbrojtura.

Sipas organizatave, Ligji për Rishpalljen e Parkut Kombëtar të Mavrovës ende nuk është miratuar, dhe as nuk është miratuar një plan menaxhimi, gjë që, thonë ato, pengon mbështetjen financiare dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve.

“Në park janë raportuar parregullsi të shumta dhe aktivitete të paligjshme, por ato nuk janë sanksionuar. Përafërsisht 80 përqind e financimit të Mavrovës vjen nga prerja e pyjeve, një praktikë e paqëndrueshme dhe në kundërshtim me qëllimin e zonës së mbrojtur, dhe është vërejtur gjithashtu një rënie e popullatave të specieve të kafshëve të mbrojtura në park”, janë disa nga problemet e përmendura nga organizatat.

Ata theksojnë se donatorët potencialë janë të gatshëm të financojnë funksionimin e parkut dhe masat e ruajtjes pas miratimit të një Plani Menaxhimi. Mungesa e një plani të tillë, thonë ata, rrezikon një nga parqet më të vjetra në Evropë.

Në peticion thuhet gjithashtu se Komiteti i Konventës së Bernës ka rekomanduar vazhdimisht rishpalljen e menjëhershme të Parkut Kombëtar të Mavrovës, dhe se mosrespektimi i këtyre rekomandimeve përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrë hapa urgjentë për të përmbushur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, duke përfshirë publikimin e projektligjit për rishpalljen e Parkut Kombëtar të Mavrovës, organizimin e një debati publik mbi Ligjin dhe miratimin e tij.

Sipas Studimit të azhurnuar rivalorizimit më shumë se gjysma e sipërfaqes së Parkut Nacional “Mavrova” do të jetë zonë e mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, ndërsa pjesa tjetër zonë e shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe zonë tampon. Kjo është një rritje prej mbi 20 për qind në pjesët më të mbrojtura të parkut, krahasuar me të njëjtin dokument që u hartua në vitin 2012. Studimi i përfunduar në dhjetor të vitit 2023 vendos edhe kufij të rinj të jashtëm për parkun nacional, duke e rritur kështu sipërfaqen e tij me mbi 1.000 hektarë.

Hulumtimet shkencore që u kryen për nevojat e Studimit gjatë vitit 2023 e konfirmuan praninë e 14 individëve të rrëqebullit të Ballkanit, 130 arinjve, një popullate të qëndrueshme ujqërish, si dhe një nga popullatat më të mëdha të fluturës së bakërt, një specie e rrezikuar që është në listat e kuqe nën mbrojtje të rreptë. Në parkun nacional në dhjetë vitet e fundit sipërfaqja e pyjeve është rritur nga 30.600 në 36.200 hektarë, si dhe sasia e rezervave të drurit. Këtu gjendet edhe popullsia më e madhe natyrore e gështenjës së egër, me një numër të madh pemësh shekullore.

Kujtojmë se më 4 prill, në programin vjetor për natyrën nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kishin paraparë rreth 325.000 euro, të cilat do të duhet të ndahen për aktivitete që do ta përmirësojnë punën e tyre dhe do të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për të funksionuar më me sukses. Sipas njoftimeve të Ministrisë, parqet kombëtare “Pelister” dhe “Mali Sharr” do të bëhen me info qendra të reja, “Galiçica” do të mbështetet për blerjen e pajisjeve për kontroll dhe monitorim më të mirë të ishullit Golem Grad, ndërsa “Mavrova” do të fitojë pajisje për rregullimin e lokaliteteve turistike.