Ministria filloi realizimin e marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D

Shënimin e realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d e shënuan sot Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore, transmeton Portalb.mk.

“Sipas marrëveshjes, prej sot fillon punët përgatitore, incizimi në terren, përgatitja e projektit urbanistik, projektet bazë, me qëllim që të fillojnë edhe procedurat për shpronësim dhe projektim”, sqarojnë nga Ministria.

Ministria sqaroi që ndërkohë ka filluar mobilizimi i personelit, vendosja e kampeve, analiza e terrenit dhe mundësit për dislokimin e instalimeve mbi dhe nëntokësore.

“Me realizimin e këtij projekti më të madh infrastrukturorë bëhet kompletimi i autostradës që mundëson lidhjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Evropën dhe rajonin. Ajo mundëson lëvizje të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”, deklarojnë nga Ministria.

Kujtojmë që, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.