Ministri i Jashtëm polak – Mucunskit: Edhe pa BE-në ka jetë, por jeta në të është më e bukur
Ka jetë edhe jashtë Bashkimit Evropian, por brenda tij është më mirë. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Polonisë – Radosllav Shikorski pas takimit në Varshavë me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut – Timço Mucunskin, transmeton Portalb.mk.
Sipas kreut të diplomacisë polake, përfitimet nga BE-ja janë të mëdha. Ai theksoi edhe rëndësinë e sigurisë.
“Gjithsesi se ekziston jetë edhe jashtë Bashkimit Evropian por në union është më bukur. Ne kemi fituar shumë e nga ana tjetër Britania e Madhe humbi shumë pasi doli nga BE-ja dhe është penduar për këtë. Dua t’ju bind se ia vlen sepse në fund hyni në një familje të qëndrueshme, e cila hap dyert e tregtisë, tregon solidaritet dhe është krejtësisht e kundërta nga ajo që e thonë nacionalistët”, tha Shikorksi.
Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë së RMV-së, tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj BE-së. Ai theksoi se anëtarësimi është qëllim strategjik.
“Rruga është shumë e ndërlikuar. Obligimi ynë është të zbatojmë reformat që janë në interesin tonë ashtu siç i kërkon Bashkimi Evropian. Angazhimi ynë është të ngelemi tërësisht të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së sepse kjo politikë është sistem vlerash,” tha Mucunski.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Sofja ngriti alarmin për amendamentet e Thomas Weitz, Mickoski: “Duan të na tërheqin në fushatën e tyre, t’i injorojmë”
- LEXO: Mucunski pranon se RMV ka vetëm një rrugë: S’ka zgjidhje tjetër për në BE, mungon konsensusi për alternativa të tjera
- LEXO: Strategjia e re e zgjerimit të BE-së, çfarë i kërkohet RMV-së për përparim me eurointegrimet?