Milanoviq në takimin me Siljanovska-Davkovën: Ka jetë edhe pa Bashkimin Evropian

Në një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u prit sot në Zagreb nga presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, me çka filloi vizita e saj zyrtare dy-ditore në vend. Dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, pasuar nga një takim plenar i delegacioneve maqedonase dhe kroate, fokusi i të cilit ishin marrëdhëniet tradicionalisht miqësore dypalëshe. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Siljanovska-Davkova theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga angazhimet strategjike të vendit dhe falënderoi Kroacinë për marrëdhënien e saj miqësore, mbështetjen dhe mirëkuptimin, si dhe për ndihmën e saj në hapjen e perspektivave të reja dhe zgjidhjeve të mundshme në procesin e integrimit evropian, transmeton Portalb.mk.

Presidentja theksoi se vendi ka ndjekur vazhdimisht kriteret e Kopenhagenit, me qëllim ndërtimin e një sistemi funksional dhe demokratik të pajtueshëm me standardet evropiane. Sipas saj, procesi i integrimit evropian duhet të mbetet i bazuar në meritë, reforma dhe përmbushje të kritereve evropiane, dhe të mos jetë i ngarkuar me çështje dypalëshe historike, kulturore, gjuhësore dhe identiteti.

Ajo tha se presin trajtim të barabartë dhe zbatim të të njëjtave standarde si për vendet e tjera kandidate, me sigurinë se në institucionet evropiane ende ka dëgjim për argumentet, për të drejtën dhe për vendin dinjitoz të çdo populli evropian në Union.

“Imagjinoni aktin e sovranitetit, Kushtetuta, ligji më i lartë, ligji i ligjeve, karta sociale e qytetarëve, duhet të ndryshohet. Edhe pse, si në çdo Kushtetutë, edhe e jona thotë se një iniciativë për ndryshim mund të iniciohet nga presidenti, 30 anëtarë të parlamentit, ose 150 mijë qytetarë, dhe Qeveria, nuk thotë se BE-ja, dhe aq më pak nga njëri prej fqinjëve, mund ta bëjë këtë. Sigurisht, ajo që kërkojmë është shumë e thjeshtë, të njëjtat standarde që kërkoheshin nga ju, ose që kërkohen nga anëtarët e tjerë, të cilat janë kriteret e Kopenhagenit. Megjithatë, po marrim kërkesa që lidhen me historinë, kulturën, gjuhën ose identitetin. Dhe preambula e Traktatit të BE-së thotë qartë se BE-ja e njeh atë, sepse është unitet në diversitet, dhe respekton historinë, kulturën dhe gjuhën e kombeve të tjera, dhe madje edhe strukturat kushtetuese dhe politike, dhe veçanërisht dinjitetin dhe integritetin e qytetarëve”, shtoi Siljanovska-Davkova.

Siljanovska-Davkova theksoi se zgjerimi i Unionit sot është gjithashtu çështje sigurie.

“Ne i përkasim kategorisë së dytë, por ka çështje që në të vërtetë as nuk duhet të diskutohen. Është e qartë se zgjerimi sot nuk është vetëm çështje politike, kulturore dhe ekonomike, por edhe çështje sigurie, sepse të gjitha trazirat e mëdha botërore janë reflektuar gjithmonë përmes Ballkanit”, theksoi ajo.

Pas takimit në Kroaci, presidenti Zoran Milanoviq komentoi gjithashtu mbi procesin e gjatë të pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje se vendit po i vendosen shumë kërkesa dhe kushte. Ai tha se Maqedonia po vendos vetë rrugën e saj.

“Maqedonia vendos vetë se çfarë është më mirë për të dhe cilën rrugë zgjedh, unë supozoj se është rruga e mirëqenies, paqes dhe qetësisë për qytetarët e Maqedonisë. Dhe kjo gjë tjetër, përfshirë BE-në dhe NATO-n, është një fasadë, një lloj ripërtëritjeje energjetike, por ajo që e bën shtëpinë është brenda. Këto janë mendimet e mia, ato nuk janë këshilla as për fqinjin tim të afërt, e lëre më për një vend dhe popull të tërë. E njëjta gjë vlen edhe për Kroacinë – BE-ja është një zgjatim, por në asnjë mënyrë një ndërtesë. Shtëpia dhe tradita jonë janë në tokën tonë, dhe BE-ja është një histori sezonale e mirëpritur për sa kohë që zgjat. Kaq është. Ka jetë pa BE, dhe një jetë të suksesshme dhe dinjitoze”, tha Milanoviq.

Përndryshe, sipas njoftimit nga kabineti i presidentes së Maqedonisë, ajo është planifikuar të takohet edhe me kryeministrin, Andrej Plenkoviq.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.