Mucunski pranon se RMV ka vetëm një rrugë: S’ka zgjidhje tjetër për në BE, mungon konsensusi për alternativa të tjera
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një paraqitje në televizionin Alsat, theksoi se shteti po ndjek vazhdimisht diskutimin në kuadër të institucioneve evropiane dhe debatet e ndryshme që po zhvillohen. Në një moment kur në Bashkimin Evropian po qarkullojnë ide të ndryshme për ndryshimin e politikës së zgjerimit, ministri Mucunski, pranoi se aktualisht nuk ekziston asnjë alternativë konkrete apo konsensuale që do t’i hapte rrugë të re vendit drejt anëtarësimit. Duke theksuar se çdo ndryshim kërkon pajtim të plotë mes shteteve anëtare, ai bëri të qartë se, përkundër diskutimeve në Bruksel, procesi mbetet i bllokuar në mungesë të një marrëveshjeje të përbashkët, transmeton Portalb.mk.
“Ne sigurisht që po e ndjekim diskutimin, si dhe debatet e ndryshme që ekzistojnë, por në këtë moment prioriteti ynë strategjik i paplotësuar i politikës së jashtme të shtetit është hapja e negociatave për anëtarësim dhe anëtarësimi sa më i shpejtë i plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
Ai shtoi se, nga aspekti i mënyrës se si merren vendimet në Bashkimin Evropian, një ndryshim i mundshëm në metodologjinë ose rregullat që lidhen me zgjerimin kërkon konsensus.
“Sipas asaj që po dëgjojmë, ka disa ide të ndryshme se si shtete të caktuara anëtare ose grupe shtetesh anëtare, dhe madje edhe Komisioni Evropian, e shohin të ardhmen e politikës së zgjerimit. Por ajo që është e qartë është se, të paktën në këtë moment, nuk ka konsensus për asnjë nga këto zgjidhje alternative”, shtoi ministri.
Duke komentuar qëndrimin e opozitës, ministri Mucunski theksoi se ky është një subjekt politik që ndryshoi emrin e vendit, premtoi ndryshime shtesë kushtetuese dhe bëri lëshime të rëndësishme kombëtare në mënyrë që të përparonte drejt rrugës evropiane.
“Tetë vjet pas këtyre lëshimeve, gjegjësisht, tashmë po i afrohemi dhjetë viteve, vendi ende nuk ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian. Prandaj, rezultati i politikës së tyre shihet më së miri përmes asaj që kanë bërë dhe asaj që kanë arritur”, përfundoi ai.
Qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar gati dy vite sa është VMRO-DPMNE në pushtet, duke thënë se ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat madje filluan ta promvojnë idenë se mund të ketë alternativë konkrete apo konsensuale që do t’i hapte rrugë të re vendit drejt anëtarësimit. Në një paraqitje në TV Kanal 5, ai tha se ekziston një mundësi që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e bllokut, por pa të drejtë vote, gjë që do të ndodhte në vitin 2027, si pjesë e një skenari që lidhet me planin e paqes për Ukrainën. Deklarata e kryeministrit vjen një ditë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se pajtohet që Serbia të bëhet pjesë e BE-së pa të drejtë vote.
Por, kjo dëshirë e Maqedonisë u hodh poshtë nga përfaqësuesit e BE-së, dhe siç theksoi edhe vet Mucunski, nuk ka mundësi dhe alternativa tjera pos ndryshimeve kushtetuese.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Strategjia e re e zgjerimit të BE-së, çfarë i kërkohet RMV-së për përparim me eurointegrimet?
- LEXO: Parlamenti Evropian: Maqedonia duhet ta zbatojë marrëveshjen me Bullgarinë, nuk ka “shkurtesa” sa i përket parimeve themelore të Unionit
- LEXO: Vajc: Ndryshimet kushtetuese janë kusht për të cilin RMV-ja nuk mund të negociojë
- LEXO: Eurodeputetët kërkuan angazhim më të madh nga Brukseli, ndryshimet kushtetuese kyçe për rrugën e RMV-së drejt BE-së