Strategjia e re e zgjerimit të BE-së, çfarë i kërkohet RMV-së për përparim me eurointegrimet?
Parlamenti Evropian ka miratuar strategjinë e zgjerimit ku theksohet se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një përgjigje strategjike ndaj zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe një investim i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit. Në raport përmendet edhe rëndësia e përparimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian. Për Maqedoninë e Veriut theksohet nevoja për zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë, si pjesë e procesit negociues me BE-në. Në të njëjtën kohë, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur objektiva konkrete për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitet 2026 dhe 2027, duke treguar ambicie të fortë për integrim evropian, raporton Portalb.mk.
Eurodeputetët theksojnë gjithashtu rëndësinë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili konsiderohet thelbësor për përparimin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën e tyre evropiane dhe për stabilitetin rajonal. Në të njëjtën kohë, zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut mbetet një faktor i rëndësishëm për avancimin e saj në procesin e negociatave me BE-në.
“Raporti nënvizon rëndësinë e Dialogut Beograd-Prishtinë, i cili është thelbësor për Serbinë dhe Kosovën që të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal, si dhe rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm me mirëbesim të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në përputhje me kornizën negociuese të BE-së”, thuhet në raport.
Zgjerimi i BE-së shihet si një proces i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Sipas eurodeputetëve, moszgjerimi mund të krijojë hapësira gjeopolitike të paqëndrueshme që mund të ndikohen nga faktorë të jashtëm antagonistë. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të mbështesë vendet kandidate dhe të përshpejtojë procesin e integrimit kur këto vende realizojnë reforma të prekshme.
“Në një raport të miratuar të mërkurën, eurodeputetët thonë se zgjerimi është një përgjigje strategjike ndaj realitetit gjeopolitik në zhvillim dhe një investim jetësor në sigurinë dhe stabilitetin e BE-së. Parlamenti argumenton se kostoja e moszgjerimit do të tejkalonte atë të anëtarëve të rinj që bashkohen me BE-në, duke rrezikuar krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist. Raporti vëren se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të tyre të pranimit deri në fund të vitit 2026 dhe 2027 respektivisht. BE duhet t’i inkurajojë këto vende kur ambicia e tyre përputhet me reforma të prekshme, me eurodeputetët që i bëjnë thirrje Këshillit të njohë këtë moment dhe të heqë çdo pengesë që ekziston nga ana e BE-së. Eurodeputetët gjithashtu duan hapjen e shpejtë të grupeve negociuese me Ukrainën dhe Moldavinë”, thuhet në njoftimin e PE-së.
Anëtarësimi duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm
Një nga parimet kryesore të procesit të zgjerimit është se anëtarësimi duhet të jetë i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm. Kjo do të thotë se çdo vend kandidat duhet të përmbushë kriteret dhe standardet e BE-së pa përjashtime apo rrugë të shkurtra. Eurodeputetët theksojnë se sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, mbrojtja e të drejtave të pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në qendër të procesit të integrimit.
“Duke riafirmuar se pranimi duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm, dhe se asnjë vend nuk duhet të trajtohet si pjesë e një pakete, eurodeputetët theksojnë se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për vlerat dhe parimet themelore të BE-së. Sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në ballë të procesit të zgjerimit, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme për shoqërinë civile”, thuhet në raport.
Në raport gjithashtu theksohet rëndësia e përputhjes së vendeve kandidate me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ky konsiderohet një tregues i rëndësishëm i orientimit gjeostrategjik të një vendi dhe i përkushtimit të tij ndaj vlerave evropiane. Vendet që kanë përputhje më të ulët me këtë politikë shpesh përballen me ngecje në procesin e integrimit.
“Përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP) të BE-së është një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të një vendi kandidat. Eurodeputetët vërejnë se prapambetja më shqetësuese demokratike po ndodh në vendet e zgjerimit me përputhshmërinë më të ulët të CFSP-së, dhe në ato ku procesi i pranimit ka ngecur në mënyrë efektive. Eurodeputetët vërejnë rritjen e mbështetjes në Islandë për anëtarësimin në BE ,dhe mirëpresin iniciativat e mundshme nga Groenlanda për të forcuar lidhjet e saj me BE-në”, thekson Parlamenti Evropian.
Monitorimi i reformave
Raporti nënvizon edhe nevojën për monitorim më të fortë të reformave në vendet kandidate, veçanërisht në kuadër të të ashtuquajturit “grupi themelor”. Në të njëjtën kohë kërkohet mbështetje më e madhe për shoqërinë civile pro-evropiane që punon për promovimin e reformave dhe vlerave demokratike.
“Eurodeputetët po bëjnë thirrje për monitorim të forcuar të reformave në vendet kandidate nën “grupin themelor” dhe për mbështetje të përforcuar për aktorët e shoqërisë civile pro-BE që janë të përkushtuar ndaj reformave të nevojshme dhe vlerave evropiane”, thonë nga PE.
Raporti gjithashtu thotë se duhet të ketë fonde të mjaftueshme para-pranimit në kuadër të buxhetit të ri afatgjatë të BE-së dhe bashkëpunim më të thellë në infrastrukturë, siguri, qëndrueshmëri dhe kundërshtimin e manipulimit të informacionit të huaj.

Raporti u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime.
“Me çdo anëtar të ri, fuqia politike dhe ekonomike e Evropës është rritur, duke u sjellë prosperitet dhe siguri qytetarëve të saj. Në dritën e sfidave të sotme, ne duhet të përmirësojmë modelin e integrimit në BE për të reflektuar më mirë interesat e Unionit dhe pritjet e vendeve kandidate. Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për të përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë përdorimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur kandidatët kryesorë të përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe të jenë të përgatitur për pranim në BE”, tha eurodeputeti Austrevicius.
Kur Maqedonisë së Veriut i kërkohet zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, këtu nënkuptohen edhe ndryshimet kushtetuese qëi kërkon Bullgaria. Pikërisht edhe këtu ka mbetur e ngujuar Maqedonia në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndërkohë, qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.
- LEXO: Parlamenti Evropian: Maqedonia duhet ta zbatojë marrëveshjen me Bullgarinë, nuk ka “shkurtesa” sa i përket parimeve themelore të Unionit
- LEXO: Vajc: Ndryshimet kushtetuese janë kusht për të cilin RMV-ja nuk mund të negociojë
- LEXO: Eurodeputetët kërkuan angazhim më të madh nga Brukseli, ndryshimet kushtetuese kyçe për rrugën e RMV-së drejt BE-së