Ramis Merkon u dënua me 5 mijë euro gjobë për pllakën në hyrje të Komunës së Strugës
Ish-kryetari i Strugës, Ramis Merko, është dënuar me gjobë prej 5 mijë eurosh për vendosjen e pllakës përkujtimore të kontestuar në ndërtesën e Komunës së Strugës. Gjykata ka konstatuar përgjegjësi, duke vlerësuar se pllaka nxit ose ndez urrejtje fetare dhe etnike. Edhe pse në këtë rast nuk janë regjistruar konflikte, incidente apo pasoja të tjera, gjykata ka vlerësuar se për veprën e kryer nuk është e nevojshme të ekzistojë pasojë, transmeton Portalb.mk.
“Është fakt se për këtë rast janë zhvilluar dy procedura, njëra prej të cilave ka qenë kundërvajtëse, mirëpo ajo lidhet me mosrespektimin e procedurës për ngritjen e përmendores dhe për të është lëshuar urdhërpagesë për kundërvajtje. Mirëpo, kjo i referohet çdo lloj përmendoreje, përfshirë edhe ato që nuk nxisin ose ndezin urrejtje fetare dhe etnike”, deklaroi Jordan Jordanov – gjyqtar i çështjes, Gjykata Themelore e Strugës.
Si dëshmi kyçe, gjykata e ka përmendur edhe mendimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ishte kontestuar në Gjykatën Administrative, por padia ishte refuzuar, ndërsa vendimi ishte konfirmuar nga Gjykata e Lartë Administrative.
“Mendimi është i vlefshëm, mbetet në fuqi, ndërsa është përgatitur në bazë të mendimit të ekspertëve nga Instituti i Historisë Kombëtare, prej të cilëve është kërkuar mendim nëse ajo që simbolizon pllaka mund të nxisë ose ndezë urrejtje fetare apo etnike”, shtoi Jordanov.
Pllaka e kontestuar prej mermeri ishte vendosur në hyrje të ndërtesës së komunës, e shkruar vetëm në gjuhën shqipe, me mbishkrimin “Shkolla fillore Kongresi i Manastirit, 1 shtator 1941″.
Më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.