GJND-ja do të vendosë këtë javë për rastin e gjenocidit kundër Izraelit

Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara do të lëshojë të premten vendimin lidhur me kërkesën e Afrikës së Jugut për lëshimin e masave të përkohshme në rastin e gjenocidit kundër Izraelit, përfshirë edhe kërkesën që Izraeli të ndalë ofensivën e tij në Gazë, shkruan REL.

Vendimi është në fazën paraprake për rastin e ngritur nga Afrika e JugutGjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Afrika e Jugut pretendon se veprimet ushtarake të Izraelit në luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë përbëjnë gjenocid. Izraeli mohon akuzat dhe ka kërkuar nga gjykata që ta rrëzojë rastin.

Izraeli ka nisur një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gazë, pasi Hamasi kreu sulme më 7 tetor në jug të Izraelit duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë.

Izraeli shpesh bojkoton tribunalet ndërkombëtare dhe hetimet e OKB-së, duke thënë se janë të padrejta dhe të njëanshme. Por, liderët e shtetit dërguan ekipe ligjore gjatë seancës dyditore dëgjimore, që u mbajt më herët gjatë këtij muaji.

Nëse gjykata miraton disa apo të tetë kërkesat e Afrikës së Jugut për të ashtuquajturat masa të përkohshme, është ende e paqartë nëse Izraeli do t’i respektojë ato.

Rikujtojmë se, më 11 janar  në Hagë  filloi seanca dëgjimore publike lidhur me padinë për gjenocid të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)

Dokumenti prej 84 faqesh i Afrikës së Jugut e akuzon Izraelin për veprime dhe lëshime që përbëjnë “karakter gjenocidal, pasi ato janë kryer me qëllimin të caktuar specifik, për të shkatërruar palestinezët në Gaza si pjesë e grupit më të gjerë kombëtar, racor dhe etnik palestinez”.

Padia thekson se aktet gjenocidale të Izraelit përfshijnë vrasjen e palestinezëve, shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore dhe mendore, dëbimin masiv nga shtëpitë dhe zhvendosjen, vendosjen e masave që synojnë të parandalojnë lindjet palestineze dhe privimin nga qasja në ushqimin e duhur, ujin, strehimin, kanalizimet dhe ndihmën mjekësore.