Mickoski tha se nuk frikësohet se hetimi për kredinë hungareze do të ndikojë në vend

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk frikësohet se hetimi penal i hapur nga autoritetet hungareze për bankën shtetërore “Eximbank” mund të ketë çfarëdo pasojash për vendin. Mickoski sot u pyet nga gazetarët për këtë çështje, pasi një nga rastet për të cilat tashmë zyrtarisht po zhvillohet hetim është kredia prej një miliard eurosh që Maqedonia e mori nga “Eximbank” në kohën kur në krye të qeverisë hungareze ishte Viktor Orbán, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse hetimi mund të ndikojë në vend, Mickoski tha se bëhet fjalë për një çështje të brendshme të Hungarisë dhe se beson që autoritetet atje do ta përfundojnë punën e tyre dhe do të dalin me, siç tha ai, një njoftim lidhur me atë kredi.

Sa i përket vetë kredisë, ai tha se ajo është pjesë e partneritetit strategjik mes dy vendeve, se është miratuar nga qeveritë dhe parlamentet në Shkup dhe Budapest dhe se mjetet janë shpenzuar në mënyrë transparente.

“A frikësohem? Absolutisht nuk frikësohem, sepse e gjithë kjo është pjesë e partneritetit tonë strategjik, e konfirmuar nga të dy parlamentet dhe të dyja qeveritë. Mjetet janë shpenzuar në mënyrë transparente dhe falënderimi im shkon për Hungarinë, e cila si partneri ynë strategjik, në kohën kur po luftonim për ta nxjerrë shtetin nga falimentimi për shkak të borxheve që i trashëguam nga qeveria banditeske e LSDM-së dhe BDI-së, ishte e para që na doli në ndihmë”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas promovimit të automjeteve të reja komunale për Qytetin e Shkupit dhe disa komuna të tjera në vend.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke iu referuar një njoftimi të policisë hungareze, raportoi se po hetohen katër raste në “Eximbank”, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe menaxhim të pandërgjegjshëm. Mes rasteve që janë objekt hetimi është edhe kredia prej një miliard eurosh e miratuar për Maqedoninë e Veriut, për të cilën Ministria e Ekonomisë e Hungarisë në korrik kishte ngritur kallëzim pas një auditimi të bankës.

Kryeministri aktual hungarez, Peter Magyar, i cili në zgjedhjet e prillit të këtij viti i dha fund qeverisjes 16-vjeçare të ish-kryeministrit Viktor Orbán, premtoi se do të luftojë kundër, siç e quajti ai, korrupsionit të përhapur gjerësisht gjatë qeverisë së mëparshme. Orbán, siç rikujton Reuters, në disa raste i ka mohuar akuzat e Magyarit.

Sipas njoftimit të policisë, hetuesit të hënën (31 gusht) sekuestruan mijëra faqe me dokumente të brendshme nga Ministria e Ekonomisë, të cilat do të analizohen në kuadër të hetimit.

Se do të zhvillohen hetime për punën e “Eximbank”-ës shtetërore, Magyar e kishte paralajmëruar në fund të korrikut. Atëherë ai njoftoi se Ministria hungareze e Ekonomisë i kishte dorëzuar policisë katër raste të lidhura me bankën, mes tyre edhe atë për kredinë për Maqedoninë e Veriut, me normë interesi prej 3,25 përqind dhe me garanci të plotë shtetërore, kushte që ai i vlerësoi si problematike.

Ndërkaq, Mickoski sot u pyet edhe për të komentuar deklaratën e Magyarit se Hungaria nuk do të mbështesë një proces të përshpejtuar të anëtarësimit për asnjë vend kandidat në Bashkimin Evropian.

Mickoski thotë se është i bindur se ajo që ka thënë homologu i tij hungarez nuk i referohet Ballkanit, por vendeve të tjera kandidate për anëtarësim në BE.

“Jam i bindur se kolegu Magyar nuk e ka menduar Ballkanin me atë që ka thënë, sepse deri më tani ka dhjetëra deklarata që nga zgjedhja e tij në krye të qeverisë së partnerit tonë strategjik, Hungarisë, në të cilat ai thotë se mbështetja për Ballkanin Perëndimor, ku bëjmë pjesë edhe ne gjeografikisht, është e padiskutueshme dhe e sinqertë dhe se ajo asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje. Mendoj se u referohet vendeve të tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Maqedonisë.

Magyar, pas takimit të djeshëm me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, deklaroi se gjatë bisedës kishte përsëritur qëndrimin e qartë të Budapestit lidhur me zgjerimin e mëtejshëm të Unionit.

“Konfirmova se Hungaria nuk mbështet një proces të përshpejtuar të anëtarësimit për asnjë vend kandidat”, shkroi ai në një deklaratë pas takimit.

Ai gjithashtu njoftoi se i kishte thënë Costës se Hungaria do të mund ta miratonte buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së vetëm nëse kompromisi i arritur është në përputhje me interesat e qytetarëve dhe bizneseve hungareze.

Mesazhi vjen para negociatave mes vendeve anëtare për prioritetet financiare të Unionit dhe shpërndarjen e mjeteve në kuadër të kornizës së re financiare shumëvjeçare.