Kovaçevski: Dorëheqja e qeverisë më së voni deri të enjten në mëngjes, qeveria teknike duhet të votohet të dielën në mesnatë

Kryeministri dhe e gjithë qeveria do të japin dorëheqje deri të enjten në mëngjes, gjë që do të lërë mundësi ligjore për të votuar për qeverinë teknike në afatin e paraparë me ligj – deri para mesnatës të së dielës, njoftoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Ai sqaroi se nuk do të ketë nevojë për dorëheqje individuale të ministrave, sepse me dorëheqjen e dorëzuar nga kryeministri Kovaçevski, i gjithë kabineti qeveritar do të japë dorëheqje.

Pos qeverisë, të enjten duhet të japë dorëheqje edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili teknikisht do të jetë kryeministër i Maqedonisë në 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare të majit.

Në seancën e Kuvendit do të duhet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, i cili do të jetë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski.

Zgjedhja e qeverisë së Xhaferit duhet të bëhet këtë fundjavë, jo më vonë se mesnata e 28 janarit.

Kovaçevski sot u ka bërë thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të jenë seriozë dhe të votojnë Qeverinë teknike në të cilën do të kenë ministrat dhe zëvendësministrat e tyre,

“Ka kohë deri të dielën që të gjithë të mendojnë dhe të gjithë të votojnë qeverinë teknike. Askush nuk mund të sillet si një fëmijë 13 vjeç, duke thënë se do të propozoj ministra dhe nuk do të votoj. Të gjithë duhet të jenë seriozë, askund në botë nuk do të gjeni shembull ku propozoni ministra dhe kërkoni dikë t’i votojë”, tha kryeministri Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën “Viti i mundësive evropiane”.

VMRO-DPMNE në qeverinë teknike do të ketë dy ministra, për punë të brendshme dhe për punë dhe politikë sociale, dhe zëvendësministra për financa, për shoqëri informative dhe administratë dhe për bujqësi.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj, të mërkurën, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit do të mbahet më 24 prill, të mërkurën.

Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.