Rokas: Von der Leyen do ta vizitojë rajonin, shpresoj që vizita të jetë vendimtare për integrimin evropian të vendit

Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, sot njoftoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në javët e ardhshme do ta vizitojë rajonin, duke shprehur shpresën se kjo do t’i japë shtysë shtesë integrimit evropian, por edhe se do të jetë një hap vendimtar drejt fillimit të negociatave të anëtarësimit të vendit me Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Ai sot mori pjesë në një ngjarje në pikën kufitare „Tabanoc“, ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse mund të pritet zhbllokimi i procesit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, tha se gjatë periudhës së kaluar janë bërë përpjekje të konsiderueshme për krijimin e kushteve për një hap të tillë.

“Shpresoj që së shpejti të kemi një vizitë rajonale nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo duhet të realizohet pas dy deri në tri javësh, kështu që shpresoj se vizita e saj do të jetë edhe një hap tjetër vendimtar drejt fillimit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian“, tha ai.

I pyetur më tej nëse ka informacione për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me efekt të shtyrë, me qëllim zhbllokimin e procesit integrues, ai tha se nuk mund të ndajë informacione të tilla me publikun.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.