Kovaçevski: Në Kuvendin e RMV-së ka deputet të UDBA-s, ka ndërtuar karrierë që vendi të mos jetë në BE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut – Dimitar Kovaçevski, pa përmendur emër tha se një deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ishte pjesë e shërbimit sekret jugosllav dhe policisë UDBA-s, që nuk duan ta shohin RMV-në si pjesë të Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Nuk habitem kur shoh politikanë 80-vjeçarë në vendin tonë dhe në vendet fqinje, të cilët ende mbrojnë konceptin e mosndërtimit të korridoreve dhe zënkës mes shteteve. Pse? Kështu e ndërtuan karrierën e tyre. Kemi ende një deputet në Kuvend që vjen nga radhët e UDBA-s. Çfarë qëndrimesh dëshironi të ketë ai? Për të parë vendin në BE? Ai e ndërtoi karrierën e tij që vendi të mos ishte në BE dhe vendi të ishte në kundërshtim me të gjithë fqinjët. Dhe prisni që ai të udhëheqë vendin drejt BE-së? Nuk mundet”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se shtetin në BE mund ta marrin politikanët e rinj, të cilët kanë parë se çfarë duan gjeneratat e reja.

Ndryshe, nesër në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet të fillojë seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat pritet t’i hapin rrugën eurointegruese vendit.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.